Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj akuzave të Përparim Ramës për gjoja bllokimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës nga ana e Qeverisë. Në një reagim në profilin e tij në Facebook, Murati ka demantuar kryetarin e Prishtinës duke ofruar fakte dhe sqarime ligjore mbi procedurat buxhetore, transmeton KosovaPost.
“Përparim, ti gënjeve që Qeveria ta ka blloku buxhetin, unë të demantova me fakte e argumente. Nëse dikush po bën humor e po tallet me votuesit, jeni ju që keni qeverisur me Prishtinën e që fajin tuaj të mos-miratimit të buxhetit komunal sipas afateve ligjore, tentoni t’ia hidhni Qeverisë ndërsa vetë viktimizoheni,” ka deklaruar Murati.
Ai ka sqaruar se Ministria e Financave ka vepruar në përputhje me ligjin dhe ka alokuar buxhetin sipas ndarjeve të vitit 2024, ashtu siç parashihet kur një komunë nuk e miraton buxhetin me kohë.
“MFPT ua ka alokuar buxhetin sipas ndarjeve të vitit 2024, ashtu siç e parasheh ligji kur komuna nuk arrin ta miratojë buxhetin me kohë. Për ta alokuar buxhetin sipas ndarjeve të vitit 2025, siç ta kam thënë tash e disa herë, duhet ndryshim/plotësimi i ligjit të buxhetit në Kuvend”, ka shtuar ministri.
Murati ka theksuar se zgjidhja është e qartë dhe e mundshme, nëse ka vullnet politik nga ana e PDK-së dhe LDK-së.
“Nëse don zgjidhje, e ke shumë të lehtë – fol me deputetët e partisë tënde në Kuvend që ta zhbllokojnë Kuvendin, e kjo pastaj hap udhë për ndryshim-plotësim të ligjit të buxhetit.”
Kjo deklaratë e ministrit vjen si përgjigje ndaj përpjekjeve të kryetarit Rama për të adresuar dështimin në miratimin e buxhetit komunal duke e zhvendosur përgjegjësinë tek Qeveria, ndërkohë që procedurat ligjore flasin të kundërtën.
The post Hekuran Murati: Përparim, gënjeve që Qeveria të ka bllokuar buxhetin, të demantova me fakte dhe argumente appeared first on Kosovapost.net.