Sekretarit i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Pete Hegseth, gjatë takimit me aleatë në Bruksel, në udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar, ka deklaruar se SHBA-ja nuk është më me “fokus parësor” në sigurinë evropiane dhe se Evropa duhet të marrë primatin në mbrojtjen e Ukrainës.
Gjatë bisedimeve me ministrat e mbrojtjes të aleatëve në Bruksel, ai ka deklaruar se Evropa duhet të ofrojë “pjesën më të madhe” të ndihmës ushtarake në të ardhmen për Ukrainën, dhe të njohë faktin se kthimi i Ukrainës në kufijtë e para 2014-tës është joreal, raporton “The Guardian”.
Shefi i Pentagonit ka thënë se ai është “aty për të shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të qartë se realitetet e qarta strategjike ndalojnë SHBA-në për t’u fokusuar në mënyrë parësore në sigurinë e Evropës”, ndërkohë, gjuha ishte dukshëm më e butë në krahasim me një projektdokument që i ishte prezantuar paraprakisht shtypit, që thoshte se SHBA-ja nuk do të jetë më “garantuesi parësor i sigurisë në Evropë” dhe sugjeronte rishqyrtimin e aleancës 75-vjeçare të NATO-s, e krijuar pas Luftës së Dytë Botërore për të mbrojtur Evropën perëndimore nga blloku Sovjetik.
Por në fjalimin në grupin e kontaktit të Ukrainës me ministrat e mbrojtjes në Bruksel, kryesuar nga sekretariati i mbrojtjes së Britanisë John Healey, Hegseth zbuti gjuhën, një ditë para se ai të marrë pjesë në samitin e tij të parë me ministrat e mbrojtjes së NATO-s.
Hegseth ka deklaruar se SHBA-ja është duke transferuar prioritetet ushtarake për t’u mbrojtur dhe parandaluar Kinën, dhe u ka bërë thirrje aleatëve evropianë të NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të bruto produktit vendor për të mbrojtur më mirë kontinentin.
Si shembull ai shtoi se Evropa “duhet të ofrojë shumicën e ndihmës ushtarake dhe jo ushtarake për Ukrainën” në të ardhmen, edhe pse nuk tha se SHBA-ja do të ndaloj të gjithë ndihmën ushtarake, e cila ka qenë jetike në rezistencën e Kievit ndaj pushtimit rus.
Po ashtu përsëriti pozicionin e Trumpit se “ndalimi i luftimeve dhe arritja e një paqeje jetëgjatë” në Ukrainë është prioriteti kryesor, dhe se Kievi duhet të kuptojë se nuk mund t’i fitojë të gjitha territoret e pushtuara nga Rusia.
“Ne duhet të fillojmë të kuptojmë se kthimin i Ukrainës në kufijtë e para 2014-tës nuk është objektivë reale”, ka deklaruar Hegseth, duke thurur një pozicion fillestar për negociatat e paqes me Rusinë.
“Ndjekja e këtij qëllimi jo real vetëm sa do të zgjasë luftën dhe do të shkaktoj më shumë vuajtje”, shtoi ai, kjo mund të interpretohet si njohje e aneksimit të Krimesë, dhe pjesëve të mëdha të Donbasit nga Rusia.
Kievi mund të arrijë paqen vetëm përmes “garancive të forta të sigurisë”, por Hegseth përjashtoi anëtarësimin në NATO të Ukrainës. Por, paqja do të sigurohej nga “trupa të afta evropiane dhe joevropiane”, që shtoi se nuk do të vinë nga SHBA-ja.
“Trupat Britanike ose evropiane që do të zhvendosen në Ukrainë, nuk do të jenë pjesë e misioneve të NATO-s dhe nuk do të mbulohen nga artikulli numër 5 i aleancës (mbrojtja e përbashkët brenda NATO-s)”, shtoi Hegseth, që i bie se ato do të vareshin për ndihmë nga shtete pjesëmarrëse.
Edhe pse Hegseth ka dhënë disa opsione për paqe në Ukrainë, pak ekspertë besojnë se ka pasur progres diplomatik. Rusia që kohëve të fundit ka zgjeruar territoret e pushtuara, është e vendosur për të shfrytëzuar përparësitë e saj, dhe ka kërkuar nga Ukraina të japë më shumë territor dhe efektivisht të demilitarizohet si pjesë e marrëveshjes.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në fillim të javës ka deklaruar për “The Guardian” se “garantimet e sigurisë pa Amerikën nuk janë reale”. Forca ndërkombëtare parandaluese me bazë në Ukrainë pas armëpushimit do të duhet të kishte 100,000 deri në 150,000 trupa, shtoi Zelensky, edhe pse do të ishte dukshëm më e dobët se 600,000 trupat ruse në Ukrainën e pushtuar.
Hegseth shpjegoj se zhvendosja e prioriteteve ishte e nevojshme sepse SHBA-ja “po përballet me kërcënime të mëdha” me fokus në sigurinë e kufijve. Në të njëjtën kohë shtoi se “po përballemi po ashtu me konkurrencë të madhe me Kinën komuniste, që është në gjendje të kërcënoj territorin e Amerikës dhe ka interesa të mëdha në Indi-paqësor”.
“SHBA-ja po i jep prioritet parandalimit të luftës me Kinën në Paqësor, duke njohur realitetin e mungesës dhe duke bërë kompromiset e burimeve për të siguruar që parandalimi të mos dështojë. Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po e përqendrojnë vëmendjen te këto kërcënime, aleatët evropianë duhet të udhëheqin para”, shtoi Hegseth.