Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se LDK’ja ka vendosur të shkojë e vetme në zgjedhje e reja të parakohshme, megjithatë thotë se nëse vërejnë kalkulime të partive tjera, atëherë do të mund të futen në koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Socialdemokrate për të fituar zgjedhjet.
“LDK’ja do të hyjë e vetme në zgjedhje, nëse të tjerët kalkulojnë, atëherë ne natyrisht me partitë opozitare, siç është Vetëvendosje dhe PSD’ja, lehtë do të krijojmë një koalicionin të madh për fitore. Por parimisht Kuvendi i LDK’së ka vendosur që të shkojë e vetme”, ka thënë Haziri në një përgjigje për Gazetën Express.
Ndërkohë sa i përket shqetësimit të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiut, se mund të krijohet një qeveri teknike deri më 22 gusht, Haziri ka thënë se të gjitha mundësit janë hargjuar, dhe zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme dhe rruga e vetme drejt legjitimitetit.
“Të gjitha opsionet kanë ra për tokë. Pritet shpërbërja me të 22-tin dhe 40 ditë pas saj është proces zgjedhor”, ka sqaruar tutje.
Haziri ka thënë se LDK’ja e ka sqaruar që zgjedhjet janë rruga e vetme në situatën aktuale.
“ Pa LDK ska as zgjedhje as zgjidhje. Ne sot e kemi konfirmuar zgjedhjet janë rruga e vetme. Le ta largojnë frikën gjithë ata që e kanë se nuk ndodh një gjë e tillë”, ka potencuar Haziri për Gazetën Express.
Mirëpo 22 gushti po i duket datë e largët Lëvizjes Vetëvendosje për të shpërndarë Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kështu ka thënë sot deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu.
Sipas saj kjo hapësirë e madhe kohore mund të jetë një mundësi që partitë tjera politike të futen në pazare për qeveri teknike apo një mandatar të ri pa zgjedhje.
“Caktimi i seancës për shpërbërjen e Kuvendit me datë 22 duket shumë i largët për dy arsye të paktën. Së pari për shkak të nevojave që ka vendi për shkuarjen sa më parë në zgjedhje dhe së dyti për shkak mundësisë që subjektet tjera të futen në pazare për qeveri teknike ose mandatar të ri pa zgjedhje” kishte shkruar Haxhiu pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, raporton Gazeta Express.
Ajo kishte thënë se datat e tyre për ta shpërndarë Kuvendin kanë qenë 8 apo 14 gushti.