Haziri konfirmon se LVV-ja kontaktoi më shumë se dy deputetë nga LDK-ja

Nënkryetari i LDK-së konfirmon se disa deputetë janë kontaktuar nga LVV-ja në mënyrë individuale, në përpjekje për të siguruar mbështetje për formimin e institucioneve të reja në Kosovë.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka konfirmuar se Lëvizja Vetëvendosje ka kontaktuar më shumë se dy deputetë nga radhët e LDK-së, në përpjekje për të siguruar mbështetje për formimin e institucioneve të reja në Kosovë.

Haziri ka theksuar se ato janë bërë të ditura nga vetë deputetët e LDK-së, çka sipas tij dëshmon për unitetin e partisë. Megjithatë, ai ka shtuar se përpjekjet e LVV-së për të bindur deputetë përmes kontakteve individuale, ofertave apo joshjeve nuk përbëjnë marrëveshje të mirëfilltë politike dhe nuk ofrojnë stabilitet institucional për Kosovën.

“Kjo nuk e bën të besueshme një marrëveshje politike. Është legjitime që partia e parë të përpiqet të bindë deputetët të bëhen pjesë e saj, duke përfshirë transaksione, oferta dhe joshje politike, por kjo nuk krijon stabilitet… LDK-ja është unike. Ne veprojmë bashkë politikisht dhe jemi të interesuar t’i japim oksigjen politik kësaj situate”.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të dielen për herë të 21-të ta konstituojnë legjislaturën e nëntë kosovare, pavarërisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar që të gjejnë zgjidhje dhe të lëvizin përpara me ngritjen e institucioneve.