Kanë kaluar pothuajse tri vite që kur Eden Hazard, pas një periudhe të vështirë te Real Madridi, e shënjuar nga dëmtimet, vendosi t’i jepte fund karrierës. Në një intervistë për “The Guardian”, ish-“playmaker”-i belg foli për jetën e tij aktuale: “Jeta ime është mjaft e thjeshtë. Jam baba i 5 fëmijëve. Tani jam më shumë taksist i tyre sesa futbollist, por nuk ka problem”.
Ish-lojtari i Lille dhe Chelsea vazhdon të jetojë në Madrid: “Vendimin e mora për familjen, fëmijët, klimën dhe ushqimin”. Ai reflektoi edhe për kohën që kalon shpejt: “Jeta kalon shumë shpejt, sidomos në futboll. Dje isha 19 vjeç dhe sot jam 35. Duhet ta shijosh, jo vetëm futbollin, por gjithçka”.
Hazard kujtoi edhe një episod me Mourinhon te Chelsea: “Shkova në Lille për të parë një ndeshje dhe humba pasaportën gjatë kthimit. Mbërrita me vonesë dhe humba stërvitjen. Në ndeshjen tjetër më la jashtë dhe tha se ishte faji im”. Për Belgjikën shtoi: “Botërori 2018 ishte i jashtëzakonshëm. Të luaja me vëllain dhe të isha kapiten i vendit tim ishte e pabesueshme”.
The post Hazard: Jam baba i 5 fëmijëve, tani ndihem më shumë taksist sesa futbollist appeared first on Telesport.










