Fatmir Haxholli, kryetar i Shoqatës Sindikale të Anëtarëve të Jashtëm, ka reaguar pas raportimit të Nacionales për pëlqimin e konsullit Gëzim Gashi, ku Hashim Thaçi akuzohet për vrasje.
Haxholli ka thënë se ky konsull duhet të kthehet në shtëpi.
Postimi:
Është për keqardhje injoranca dhe indiferenca nga dikush që, si anëtar i Shërbimit të Jashtëm, do të duhej të shquhej për përmbajtje, fokus dhe vetmohim. Është shqetësuese të konstatohet se mund të ketë kolegë, qoftë edhe një dhe i vetëm, në shërbimin diplomatik apo në MPJD, i cili nuk ka njohuritë apo shkathtësitë minimale për të kuptuar se çfarë pozicioni dhe interesi institucional apo shtetëror përfaqëson.
Nëse një koleg diplomat apo konsull i jep pëlqim çfarëdo narrativi që u ngarkon përgjegjësi morale, ligjore apo të çfarëdo natyre tjetër themeluesve të UÇK-së – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit – atëherë ai ose ajo ose nuk e njeh pozicionin zyrtar të Republikës së Kosovës ndaj Gjykatës në Hagë, ose nuk i posedon aftësitë minimale për ta kuptuar dhe për ta transmetuar atë pozicion.
Kosova e themeloi atë Gjykatë në rrethana të caktuara, të cilat i dimë, por qëndrimi formal i saj – i shprehur përmes mbështetjes institucionale, ndarjes së mjeteve për ekipet e mbrojtjes, si dhe përmes qëndrimit politik, publik dhe qytetar – është i qartë: UÇK-ja ka zhvilluar një luftë të drejtë dhe të pastër. Këtë luftë e bartën ata njerëz, së bashku me shumë të tjerë, të gjallë apo dëshmorë të lavdisë.
Çfarëdo gjesti, mesazhi, fjale, porosie apo forme tjetër që nuk i shërben Kosovës, duke goditur apo duke ngritur dyshime mbi UÇK-në, lavdinë e saj dhe mbi krerët e saj në Hagë, përbën ose një akt tradhtie, ose një veprim të ulët e të padenjë, ndaj të cilit kemi obligim moral dhe institucional të reagojmë.
Ky konsull nuk na përfaqëson si kolektiv,
Nuk përfaëson integritetin dhe kompetencën e nevojshme në shërbim,
Nuk përfaqëson interesin shtetëror,
Ky njeri duhet kthyer në shtëpi!










