Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i ka kërkuar Lëvizjes Vetëvendosje që të tregojë se kush, sipas tij, ishin deputetët e saj që financuan raportet shpifëse kundër UÇK-së, e të cilat thotë se shërbyen si bazë për themelimin e Gjykatës Speciale.
Haxhiu po ashtu i kërkoi VV-së të përgjigjet se “sa është numri i zyrtarëve dhe anëtarëve të LVV-së që dëshmuan në Hagë”, kundër udhëheqësve të UÇK-së.
“Pse Albin Kurti asnjëherë nuk i vizitoi të akuzuarit në Hagë, përfshirë as ish-shefin e grupit parlamentar të partisë së tij? A ka qenë Kurti në dijeni, apo ka shtyrë vetë njerëzit e tij të punojnë kundër UÇK-së, duke bashkëpunuar me organizata të huaja që përpiluan raportet kundër çlirimtarëve tanë?”,
“Çfarë qëllimi kishte takimi i Albin Kurtit më 17 janar 2004, me vëllezërit Boban e Golub Donqiq në Binqë, njëri shef i BIA-s e tjetri kapiten i ushtrisë serbe? Në vitin 2015, gjahu i përbashkët i VV-së me Serbinë kundër komandantëve të luftës e vuri Kosovën para dy rrugëve të dhimbshme: Themelimi i Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës, ose nga OKB-ja, me gjykatës rusë, kinezë e të tjerë”, shkroi Haxhiu, transmeton Fokusi.info.
Tutje, sipas Haxhiut, e vërteta është se Kurti dhe VV-ja asnjëherë nuk kanë qenë kundër Gjykatës Speciale, por sipas tij, kanë bërë gjithçka që ajo të mos themelohet nga Kosova, por nga OKB-ja.
“Përveç Serbisë dhe qarqeve antishqiptare, të vetmit që iu gëzuan arrestimeve të krerëve të UÇK-së ishin përkrahësit e Albin Kurtit dhe të Vetëvendosjes. Ky fakt është i dokumentuar publikisht në qindra postime dhe komente në rrjetet sociale, ku shpifjet, urrejtja dhe fyerjet ndaj çlirimtarëve tanë janë bërë “ideologji” politike e LVV-së”.
“Në vend të solidaritetit kombëtar, zgjodhën baltosjen. Në vend të mbështetjes ndaj atyre që sakrifikuan për lirinë, zgjodhën linçimin. Në vend të të vërtetës, zgjodhën propagandën dhe bashkëpunimin me ata që gjithmonë e kanë urryer Kosovën e lirë. Ata që bashkëpunuan me djallin kundër UÇK-së duhet te ndiqen penalisht, ka shumë te tillë ne LVV”, shkroi Haxhiu, transmeton Klankosova.tv.
Gjykata Speciale në Hagë në seancën e sotme rrëzoi mocionin në rastin e Thaçit dhe të tjerëve.
Ishte Mbrojtja ajo që kishte kërkuar që të rrëzohen të gjitha akuzat për krimet apo incidentet e kryera para majit të vitit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999.