Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu njoftoi se seanca e jashtëzakonshme do të mbahet sot në orën 19:00, duke ndarë edhe detaje për rendin e ditës.
Ajo tha se në këtë seancë do të ndahen komisionet parlamentare.
Po ashtu temë do të jetë ndarja buxhetore për muajin mars. si dhe çështja me Rezolutën “që lidhet me procesin e padrejtë që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së”.
“Grupet Parlamentare i ndajnë komisionet parlamentare. Kuvendi, pas miratimit në seancën e sotme të jashtëzakonshme, që do të mbahet në orën 19:00, do t’i ketë 16 komisione parlamentare. Pra, ndarja e komisioneve është bërë sot në mbledhje të Kryesisë. Grupet Parlamentare do të njoftohen në seancën e sotme se kush kryeson dhe kush do t’i kryesojë këto komisione. VV do të kryesojë 9 komisione, PDK 3, LDK 2, Lista Serbe 1 dhe Grupi Multietnik 1 komision.
Sipas diskutimeve në Kryesi të Kuvendit, ka vullnet nga grupet parlamentare që kjo rezolutë të marrë mbështetjen e Kuvendit. Do të ketë paraprakisht një takim të përfaqësuesve të GP-ve për ta diskutuar më tej rezolutën. Por besoj që, pavarësisht dallimeve që mund t’i kemi për çështje të ndryshme, kur bëhet fjalë për luftën e drejtë të UÇK-së dhe në raport me proceset e padrejta që po ndodhin në Hagë, duhet të jemi të unifikuar dhe bashkë”, tha Haxhiu.










