Ministrja në detyrë e Drejtësisë dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj sulmeve të fundit që po drejtohen ndaj koleges së saj të grupit parlamentar, Fitore Pacolli, përcjell KosovaPost.
Haxhiu ka theksuar se këto sulme nuk janë të reja, por kanë nisur që para dy vitesh, në momentin kur deputetja Pacolli guxoi të denoncojë interesa të ngushta dhe të padrejta. Sipas saj, që prej asaj kohe, Pacolli është përballur me një fushatë të vazhdueshme shpifjesh dhe sulmesh personale.
“Edhe sot, përballë akuzave të pabaza dhe sulmeve brutale, ajo qëndron e fortë për diçka për të cilën nuk ka asnjë përgjegjësi. Është një fakt i thjeshtë që mund të provohet lehtësisht, dhe që e dinë mirë edhe ata që përhapin shpifje”, ka shkruar Haxhiu.
Duke vlerësuar përkushtimin dhe guximin e deputetes Pacolli, Haxhiu shton se ajo nuk është vetëm një politikane, por një grua që çdo ditë lufton për drejtësi dhe për të qenë zëri i atyre që shpesh mbesin të pa dëgjuar.
“Sulmet e vazhdueshme ndaj saj janë të papranueshme dhe janë përpjekje të qarta për ta ndaluar dhe diskredituar përmes gënjeshtrave pa asnjë bazë. Por as deputetja Pacolli dhe as ne nuk do të heshtim”, thekson ministrja në detyrë.
Në fund të reagimit, Albulena Haxhiu bën thirrje për respekt, drejtësi dhe përgjegjësi, duke theksuar se vetëm përmes mbrojtjes së së vërtetës dhe ndëshkimit të shpifjeve, mund të ndërtohet një shoqëri e drejtë dhe demokratike.
The post Haxhiu mbron deputeten Fitore Pacolli: “Su*lmet ndaj saj janë të turpshme dhe të pabaza” appeared first on Kosovapost.net.