Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se ka qenë qëndrim i njëanshëm i saj kur ka deklaruar se do të tërhiqej nëse nuk i merr 61 vota për kryeparlamentare më votim të fshehtë.
Por, krahas kësaj, Haxhiu tha se për këtë qëndrim ka marrë mbështetje nga Lëvizja Vetëvendosja dhe kryetari i saj, Albin Kurti.
Pas dështimit të seancës për herë të dyzetë, Haxhiu tha se kuvendi është dashur të konstituohet që në herën e parë, më 15 prill.
“Fatkeqësisht deputetët e opozitës nuk po votojnë. Ne nuk themi asnjëherë që të votojnë për. Por, nuk po votojnë as për as kundër dhe as nuk po abstenojnë. Ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në takimet e radhës të ftuara nga presidentja Osmani. Nuk përjashtojmë asnjëherë që të ketë takime që ftohen edhe nga kryetari Kurti…Është e pakuptimtë që të shkosh në takim dhe të mos bësh asnjë lëvizje. Për sa kohë ne kemi bërë lëvizje, i ka përmendur edhe kryetari Albin Kurti pas takimit që i ka ftuar. Vetëm njëherë do të votohet për mua me votim të fshehtë. Nëse unë nuk i marr 61 vota të paktën nga deputetët kuvendit, unë tërhiqem nga kandidatura. Ka qenë qëndrim i një anshëm, por që është respektuar nga Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje…Unë ende nuk kam informacione se presidentja Osmani e ka ftuar Lëvizjen Vetëvendosje, sapo ta kemi njoftimin do t’iu njoftojmë”, tha Haxhiu.
Ndër të tjera, kandidatja e propozuar për kryetare të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se janë të hapur për të marrë pjesë në takimet që pritet të thirren nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo potencoi se deri më tani nuk kanë marrë ndonjë ftesë të re nga Osmani për takim.
“Në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të konstituohet brenda afatit prej 30 ditëve. Ndonëse kjo nuk ka qenë çështje që e ka adresuar AAK-ja dhe PDK-ja, LDK-ja kur e kanë kontestuar komisionin për votimit e fshehtë në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ka dalë jashtë kërkesës dhe ka përcaktuar tashmë një afat kohor. Në këtë drejtim jo brenda 30 ditëve, por kuvendi është dashur që të konstituohet po atë ditë, më 15 prill, kur edhe është thirrë seanca e parë konstituive…Ne kemi qenë të hapur që të marrim pjesë në takimet që i ka ftuar presidentja Osmani, ndonëse deri më tani kemi pasur vetëm një takim dhe të tjerat do të ndodhin gjatë ditëve në vijim”, tha Haxhiu.
Për herë të dyzetë ka dështuar konstituimi i legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Vazhdimi i kësaj seance ka dështuar në mungesë kuorumi për komisionin që mundëson votimin e fshehtë.
Kushtetuesja javën e kaluar ka sjellë aktvendim sipas të cilit legjislatura e nëntë ka një muaj afat për konstituim – zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve./KP/
The post Haxhiu: Jemi të gatshëm për takime me Osmanin, tërhiqem nëse nuk i kam 61 vota appeared first on Kosovapost.net.