Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova që të marrë veprime pasi të hënën Specialja e ka detyruar ish-zëdhënësin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Jakup Krasniqin që ta heqë kollaren para nisjes së seancës.
“Përmes kësaj letre, ju shkruaj lidhur me situatën e fundit që ka ndodhur në seancën gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës. Sipas informatave që kemi pranuar, para se z. Jakup Krasniqi të hynte në sallën ku mbahen seancat gjyqësore, iu është larguar kollarja që mbante veshur, pa asnjë arsye dhe pa asnjë justifikim”, thuhet në letrën e Haxhiut, merr vesh Albanian Post.
“Madje kur kjo është ngritur si shqetësim nga avokatja, e njëjta ka marrë përgjigjen nga gjyqtari Charles Smith se ai nuk ka informacione dhe që do të interesohet për këtë. Ky veprim ka shkaktuar shqetësim të thellë dhe indinjatë në opinionin publik të Kosovës”.
Në letër thuhet po ashtu se veprimi në fjalë përbën një ndërhyrje të panevojshme dhe të pajustifikueshme në integritetin personal dhe dinjitetin e Krasniqit.
“Kërkesa për heqjen e kollares është një akt absurd pasi që çdo individ, pavarësisht nga statusi i tij, ka të drejtën për një trajtim të respektuar dhe dinjitoz në gjykatë. Në këtë kontekst, unë kërkoj nga ju që të ndërmerrni hapat e nevojshëm për të adresuar këtë çështje dhe të siguroni që veprime të tilla të mos tolerohen në asnjë formë në të ardhmen”, përfundon letra e Haxhiut.
Ndryshe, këtë çështje e ngriti që nga mëngjesin e së hënës avokatja Alagendra Venkatesëari, e cila u ankua se pse po detyrohet klienti i tij ta heqë kravatën që e ka vendosur edhe më herët.
“Zotëri Krasniqi e ka pasur një kravatë këtë mëngjes dhe ja kanë hequr. A mund të na thotë dikush pse i është hequr kravata zotëri Krasniqit sot paradite?”, ka deklaruar ajo, derisa kreu i trupit gjykues, Charles Smith, tha se “as që e ka haberin për këtë”.
Pas një pushimi të zgjatur, trupi gjykues nuk e ka adresuar në publik shqetësimin e mbrojtjes së Jakup Krasniqit për detyrimin për heqje të kravatës.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën 1998–1999.
Për këto krime të pretenduara, ZPS-ja pretendon se katër pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm ishin në dijeni ose kanë pasur arsye të jenë në dijeni.
Ata akuzohen edhe për pjesëmarrje direkte në frikësim, marrje në pyetje dhe keqtrajtim të të ndaluarve nëpër qendra ndalimi.
Akuzat i kanë mohuar në tërësi Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi, e po ashtu edhe mbrojtësit e tyre.