Hashim Thaçi qesh derisa avokati i parashtron pyetje Fadil Gecit në Speciale

Dëshmitari Fadil Geci u pyet sërish nga mbrojtësi i Hashim Thaçit, avokati Luka Mishetiq për një deklaratë që ai e kishte dhënë të hënën, e që kishte pretenduar se ky i fundi ia ka puthur dorën në një rast.

Por, teksa dëgjohej përgjigja e Gecit, në sallën e gjyqit Thaçi filloi të qeshte, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Fillimisht, Mishetiq pyeti nëse puthja e dorës tregon respekt.

“Tregon krejt diçka tjetër. Është njeri i rrezikshëm se kur menon që është në rrezik, tana i ban dhe burri që ta puth dorën është katastrof për ata. Për shokë të vet edhe për shoqni është katastrof me i lanë diçka në dorë. Kjo është e vërteta”, tha Geci.

Tutje, avokati Mishetiq tha se për dëshmitarin kur dikush i puth dorën është shenjë e armiqësisë.

Lidhur me këtë, ndërhyri prokurori James Pace i cili tha se ‘nuk është kjo pyetja dhe mos e përshtatni sipas dëshirës”.

Pace kundërshtoi sërish kur pas këtij rasti, Mishetiq pyeti dëshmitarin Geci se a e merr si shenjë armiqësie puthjen e dorës. Megjithatë, gjykatësi Charles Smith urdhëroi dëshmitarin që të përgjigjet duke mos u pranuar kundërshtimi.

“Nuk kam pa kurrë në jetë asi rasti dhe kanë mendu që situata është aq e ashpër qysh kanë ba vetë dhe unë nuk kisha pa kurrë në jetë dhe nuk kisha pa kurrë as sot asi rasti. Kurrë s’ka ba vaki kush me ma puth dorën. Femrat me ma puth dorën ia kam mërzi e jo burrat”, tha Geci.

Geci shtoi se Thaçi e ka bërë një gjë të tillë duke menduar që është në rrezik dhe që t’i ikte rreziku. Sipas tij, ai kurrë s’iu ka përgjigjur më dhe kurrë nuk është deklaru për komunikatën 59.

Përpara kësaj, dëshmitari u pyet se a është e saktë që në deklaratën që ka dhënë si dëshmitar nuk identifikon asgjë që ka thënë Hashim Thaçi, gjë të keqe për të apo për familjen Geci.

“Çka ka më të keqe se me e shkru komunikatën 59. Çka ka me të keqe, çka ka më të rëndë?! Çka ka më vrastare?!

Tutje, Mishetiq tha se për procesverbal po e thekson që Hashim Thaçi e mohon që ka pasur të bëjë komunikatën 59.

“Gjithë thuj të mirë veç shkruaje komunikatën. S’ka burra si ti e ju ka pri ofensivës serbe. Punë ma të poshtër a ka diçka”, tha Geci.

Si u pajtua që Thaçi nuk ka thënë asgjë të keqe lidhur me familjen e tij, por që komunikatën 59 e ka shkruar po ai.

Mishetiq- Gecit: Po i shmangesh pyetjes dhe po i bën bisht përgjigjes.

Mishetiq- Gecit: Po i shmangesh pyetjes dhe po i bën bisht përgjigjes
(Përditësuar, ora 10:53)- Mbrojtësi i Hashim Thaçit, avokatit Luka Mishetiq, derisa po e merrte në pyetje dëshmitarin Fadil Geci, i tha atij se po e kupton pyetjen, por që po i bën bisht përgjigjes së tij.

Këtë gjë, Mishetiq e tha kur dëshmitarin e pyeti lidhur me një deklaratë që ai e kishte dhënë për Zyrën e Prokurorit të Specializuar një javë më parë sa i takon pjesës që sipas tij, ai nuk e ka konsideruar veten si pjesë të UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Unë kam thënë që nuk e konsideroj veten pjesë të LPK-së e jo UÇK-së se UÇK-ja është e shenjtë e gjithë shqiptarisë-pjesë e asaj që i kam kontribu ma së shumti unë me familje e me shqiptarë të ndershëm gjithkah”, tha Geci fillimisht.

Dëshmitari mohoi se ka thënë një gjë të tillë për ZPS-në, pasi theksoi ai ka qenë pjesë e UÇK-së.

“Unë nuk kam qenë nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm të LPK-së që e ka quajt veten UÇK”, tha Geci, duke shtuar se asnjëherë nuk ka qenë nën komandën e Thaçit, Zyrapit ose personave të tjerë nga Shtabi i Përgjithshëm.

“A i the javën që shkoi Prokurorisë që një person që nuk e dinte se ishit me Ministrinë e Mbrojtjes do të mendonte se ishit ushtarë të UÇK-së”, pyeti Mishetiq, duke kërkuar përgjigje me ‘po ose ‘jo’.

Ndërsa, Geci gjatë përgjigjes së tij deshi që të bënte sqarime sa i takon kësaj pjese.

“Nuk ka pas asnjë përçarje. 99% një vend i UÇK-së deri sa kanë ardhë na kanë… në mbrojtje të institucioneve”, tha Geci.

Më pas, Mishetiq vazhdoi duke i thënë se ‘besoj që e kupton pyetjet që jam duke të bërë, por po i shmangesh dhe po i bën bisht përgjigjes”. Avokati vijoi duke i thënë se po e përsëritë për herë të tretë pyetjen e tij.

“Edhe gjyqtari edhe të gjithë ju këtu nuk po më kuptoni se çka po them, ishim unik. Një kemi qenë e s’kemi qenë tjerë derisa janë ardhë e na kanë përça këta prej Zvicre”, tha Geci.

Më pas ndërhyri gjykatësi Charles Smith III, duke i thënë dëshmitarit se detyra e tij është që t’i përgjigjet pyetjeve dhe një gjë të tillë nuk është duke e bërë.

“Në ketë rast është e domosdoshme që t’i përgjigjesh me po apo jo. A ia ke thënë këtë ZPS-së, kjo është pyetja dhe t’i mund të përgjigjesh me ‘po ose jo’. Kjo është detyrim për ty. Përgjigju që të vazhdojmë më tejë”, tha kryegjyqtari.

Ai shtoi se në këtë moment duhet t’iu përgjigjet pyetjeve që i bën avokati dhe në rast që më vonë dëshiron që ZPS-ja të bëjë pyetje sqaruese, atëherë do ta kenë mundësinë.

“Po më duket që nuk po i jepet kuptimi me ‘po’ dh e ’jo’ po met mangu. I nderuar gjyqtar po jet mangu dhe po i hupet kuptimi krejt”, tha Geci tutje.

Të ngjajshme
Geci për Shukri Bujën: Më tha se ka pasur pasoja që na…

21 Tet, 2024, 17:55
Mbrojtësit të viktimave dhe ZPS-së do t’u lejohet që të…

21 Tet, 2024, 11:54
Supremja e hedh poshtë kërkesën e Shalës për rishikim të…

17 Tet, 2024, 16:32
Smith tha se është gabim dhe se kjo pyetje kërkon një përgjigje konkrete. Ndërsa, dëshmitari pohoi se një gjë të tillë e kishte thënë por që kuptimi ishte tjetër.

Tutje, dëshmitari Geci tha se nuk ka qenë i pranishëm kur delegacioni i politikanëve ka qenë në Qirez.

Ai u pyet për një libër që thuhet se e ka shkruar vëllai i tij, e që fliste për një urdhërarrest që e ka lëshuar Sylejman Selimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

“Nuk kam njohuri. Këtë e thotë vetëm ai që ka thanë. Ai vjen këtu edhe pyetni”, tha Geci.

Dëshmitari tha se për komunikatën 59, vëllai i tij Ganiu ishte informuar nga Milaim Zeka. Për këtë të fundit, dëshmitari tha se është nip i Llaushës, por asgjë të afërt nuk ka më atë. Tha se Zeka ishte i afërt me personat që sot gjykohen në Hagë, duke shtuar se edhe vetë gazetari ishte marksist-leninist.

Fadil Geci për Ramë Bujën: Më tha që ka hëngër plumb pse na ka mbrojtë neve
Dëshmitari Fadil Geci po vazhdon dëshminë edhe të martën në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ku tha se kur ka biseduar me Ramë Bujën lidhur me komunikatën e 59-të, ai i ka thënë që ka marrë plumb pse i ka mbrojtur vëllezërit Geci.

“Më ka thanë që kemi bisedu në Shtab aty. Ai e di atë, por thotë që kam pas pasoja edhe unë pse kam folë për ju, bile më thotë se unë kam hangër plumb pse ju kam mbrojtë juve e ju keni pas të drejtë edhe ju mirë na e keni ba se keni pas të drejtë. Ju kam thanë mani e nuk më kanë ngu, le ta bajnë me shnet e le të mbajnë përgjegjësinë”, tha Geci, duke shuar se Ramë Buja personalisht ia ka thënë këto fjalë.

Ndërsa, për deklaratën lidhur me shkruesin e komunikatës 59-të, dëshmitari tha se i qëndron prapa, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Mesazhi është i qartë: ai shqiptar që na ka njoftë mirë kush jem na e e ka shkru komunikatën 59, mundet me kanë tulifar nacie tjetër, por jo shqiptar. Mundet me e kontrollu me thanë që jam shqiptar, po në zemër e në gjak nuk mundet me kanë shqiptar. Këtë e kam thënë dhe është e vërtetë”, tha Geci.

Dëshmitari Geci u pyet edhe për Sabit Gecin, të cilin për ZPS-në e kishte quajtur bashkëfshatar dhe se sipas tij kanë qenë së bashku me një klasë.

“Unë mund të gaboj, por Sabiti ka qenë në burg për një aksident në komunikacion e që është dalë prej burgu më 1997, është kyç”, u shpreh Geci.

Musli Gecin dhe Hetim Gecin, dëshmitari tha se i njeh shumë mirë dhe për këtë të fundit ai tha se është dajë i Adem Jasharit.

Më pas, dëshmitarit iu prezantuan disa fotografi të cilat mbanin numra për secilin që ishte aty e që iu kërkua identifikim nga ana e tij.

“I njoh. Disa 2-3. Numri 5 është Rexhep Selimi. Numër 3, Sylejman Selimi dhe numër 2, ‘Kapuçi’ një hero i Kosovës. Po më del prej menje por na me këtë nofkë e kemi njohur të gjithë, komandant Kapuçin”, tha dëshmitari për njërën nga fotografitë.

Ai tha se Komandant Kapuçi është vrarë duke luftuar me armikun, prandaj edhe është hero dhe sipas tij të gjallët është vështirë sipas tij të jenë heronj.

Më pas, dëshmitarit iu prezantua një fotografi e dytë, e që tha se në numër 3 ishte Rexhep Selimi, ndërsa sipas tij me numër 2 mundet të jetë Abedin Rexha.

Geci tha se nuk e di se ku është realizuar fotografia, por që Rexhep Selimi i cili është i pranishëm në sallë, mund ta dijë më mirë.

Edhe në një fotografi të tretë, Geci tha se është Rexhep Selimi e që mundet me qenë edhe Abedin Rexha, por që sipas tij nuk është i sigurt.

Ndërsa, në fotografinë e katërt, dëshmitari identifikoi dy vëllezërit Jashari (Sahit dhe Musë Jasharin), ndërsa për personat tjerë ai tha se nuk po i njeh.

Në prova materiale, u pranuan të gjitha fotografitë që iu prezantuan dëshmitarit.

Me kaq përfunduan pyetjet e Prokurorisë për këtë dëshmitar, për të vazhduar më pas me mbrojtjen e Hashim Thaçit, përmes avokatit Luka Mishetiq.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ZPS ka dorzuar një parashtrim ku ka kërkuar që t’i ndryshojë listën e provave dhe të fus tri prova të tjera që do t’i përdorë me dëshmitarin 04758 dhe gjithashtu ftoi trupin gjykues që të përdorte një kalendar të përshpejtuar.

Mbrojtja e viktimave nuk pati kundërshtime lidhur me këtë. Ndërsa, avokati i Veselit, Rodney Dixon tha se ju duhet që ta shikojnë dokumentin në mënyrë që t’i paraqesin parashtrimet e tyre.

Gjyqtatri Smith urdhëroi që një gjë të tillë të bëhet pas pushimit të orës 11:00 dhe si rrjedhojë palët do t’i paraqesin parashtrimet e tyre.

Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi