Hashani: Bedri Hamza njihet si politikan që mban premtimet për paga – fokusi duhet të jetë edhe sektori privat

Profesori Medain Hashani, ka analizuar programin për ekonomi dhe arsim të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ka kërkuar që, nëse marrin qeverinë, të krijojnë një sistem arsimor që prodhon kuadro të gatshëm për punë.

Sipas Hashanit, programet që sot u jepen nxënësve, duke filluar nga shkolla e mesme, janë të vjetruara dhe nuk korrespondojnë me nevojat aktuale as në arsim e as në ekonomi, andaj PDK duhet të krijojë kushte më të mira në arsim, të cilat do të kenë impakt edhe në ekonomi.

“Secila parti që vjen në pushtet, edhe nëse vjen PDK-ja, duhet të krijojë një trekëndësh që lidh arsimin, ekonominë dhe industrinë, ndryshe do të jetë dështim. Duke u bazuar në kërkesat e industrisë, ministria e Ekonomisë duhet të investojë në zhvillimin e programeve, ndërsa arsimi, duke pasur këto informata, të përgatisë nxënës dhe studentë për programet që kërkohen në industri. Prandaj ky trekëndësh është i domosdoshëm të jetë në programin e secilës parti politike, në rastin konkret te PDK-ja”, ka thënë Hashani.

Profesori Hashani ka folur edhe për premtimet e tjera që PDK dhe kandidati i saj për kryeministër, Bedri Hamza, po japin gjatë kësaj fushate.

“Kandidatin për kryeministër nga PDK-ja, z. Bedri Hamza, të gjithë e njohim si politikan që ka realizuar premtimet, përfshirë rritjen e pagave në sektorin publik. Por fokusi duhet të jetë edhe te sektori privat, ku 80% e të punësuarve në vend i përkasin këtij sektori. Programi parasheh ulje të tatimit në paga për këtë sektor, por kjo nuk mjafton. Premtimet tjera përfshijnë subvencionimin e sektorit privat dhe energjetikës, që është tejet e nevojshme për gjendjen aktuale të vendit”, ka shtuar Hashani.

Hashani ka kërkuar nga PDK-ja që, nëse marrin timonin e qeverisjes, të krijojnë politika stimuluese për tërheqjen e investitorëve të huaj, të cilat kanë munguar në pesë vitet e fundit.