Hasani: Shteti i Kosovës nuk është Albin Kurti, ai duhet të largohet së bashku me ministrat që janë deputetë

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka vlerësuar se qëndrimi i Albin Kurtit nw zyrën e kryeministrit edhe pas betimit si deputet është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Ai ka bërë me dije se shteti i Kosovës nuk është Albin Kurti.

Në një opinion të tij me titull “Sërish mbi “lojën e budallait”, Hasani ka shkruar se Kurti duhet të largohet nga zyra së bashku me ministrat që janë zgjedhur deputetë.

Sipas tij, nenin i Kushtetutës që e përcakton këtë është shumë i qartë.

“Nuk ka dispozitë më të qartë në Kushtetutën e Kosovës se ajo që tregon se ushtrimi i çdo funksioni ekzekutiv është i papranueshëm me të qenit deputet. Kjo është arsyeja pse, që nga dita e certifikimit per constitutionem, konsiderohet se mandati në ekzekutiv pushon, në çdo cilësi qoftë, pa marrë parasysh nëse ekzekutivi ndodhet brenda mandatit qeverisës ose jashtë, si qeveri në dorëheqje apo qeveri në detyrë. Kjo shpjegon edhe pse Ligji për Qeverinë përcakton qartë se kryeministri dhe ministrat në detyrë, pas skadimit të mandatit qeverisës, duhet të japin dorëheqje në ditën e certifikimit të tyre si deputetë. Qeveria në dorëheqje – shprehja e vetme që përdor Kushtetuta e Kosovës – si dhe ajo në detyrë si kategori ligjore, nënkuptojnë që ata kanë mandat të kufizuar qeverisës, si pasojë e paralizimit të parlamentit ose si rrjedhojë e mosekzistencës së tij në praktikë”, ka shkruar Hasani.

Ai ka bërë me dije se Kushteteuta e Kosovës thotë se zyrtarët e njëjtë nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe anëtarit të kabinetit të Qeverisë.

“Dorëheqja e anëtarëve të qeverisë në detyrë pas certifikimit të tyre si deputetë nënkupton se ata nuk mund të qeverisin në asnjë formë dhe mënyrë – jo për shkak të gjendjes së parlamentit, por për shkak se funksionet ekzekutive dhe legjislative janë të ndara dhe të papajtueshme në aspektin kushtetues: zyrtarët e njëjtë nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht këto dy funksione, as t’i mbajnë ato formalisht. Duhet përsëritur se Kosova pa qeveri nuk mund të ekzistojë, sepse këtë e përcaktojnë Kushtetuta dhe ligji, jo unë. Ajo që them unë, si herën e kaluar, është se koha e Luigjit të 14-të ka kaluar: Shteti i Kosovës nuk është Albin Kurti, i cili duhet të largohet së bashku me ata ministra që janë deputetë, për të lejuar që qeveria në detyrë të drejtohet në mënyrë kushtetuese dhe ligjore nga ata që nuk kanë konflikt interesi. Ky është thelbi i frymës së Ligjit për Qeverinë, si dhe i çdo ligji që bën dallimin mes subjektivitetit të qeverisë dhe subjektivitetit të personave që ushtrojnë funksionet ekzekutive. E njëjta gjë vlen, mutatis mutandis, edhe për të gjitha organet qendrore të një shteti sovran dhe të pavarur”, ka shkruar Hasani.