Hasani: LVV ka frikë nga PDK, po kërkon partnerë lojal

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani ka përmendur disa nga arsyet pse sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka bërë ofertë kësaj partie për koalicion.

Ai ka thënë se PDK një ftesë të tillë do t’i përgjigjej, por sipas tij nga VV e dinë që PDK nuk i pranon kushtet e tyre dhe për këtë nuk kanë dërguar ftesë.

Hasani në emisionin “Ditari” në Tëvë1 ka thënë se LVV frikësohet nga PDK.

“Ata frikësohen nga PDK, sepse e dinë besimin, guximin, forcën e saj dhe gatishmërinë për vendimmarrje dhe kërkojnë parterë të tjerë të cilët janë lojal, të butë të paqëndrueshëm, të gatshëm”, është shprehur deputeti i PDK-së.

I pyetur nëse me këtë po aludon në LDK-së, pasi Vetëvendosje i ka dërguar kësaj partie ftesë për bashkëqeverisje, Hasani ka thënë se nuk përmendi emri por arsyen se pse PDK nuk ftohet nga LVV-ja.

Ai ka thënë se në rrethanat aktuale një koalicion me LVV-PDK është i pamundur.

Sa i përket seancës të së mërkurës, që do të jetë tentimi i 19-të për konstituimin e Kuvendit, Hasani ka thënë se PDK do të shkojë në seancë me qëndrimet e njëjta.