Harry Kane me objektiv të qartë, synon të realizojë 100 gola në Bundesliga që këtë sezon

Harry Kane ka gjetur një mënyrë për ta ngritur standardin edhe më tej. Sulmuesi anglez i Bayern Munich vendosi një rekord të ri personal me një penallti kundër Mainz në javën e 14-të të Bundesliga, një gol vendimtar që i lejoi bavarezëve të shmangnin humbjen e tyre të parë në Ligë për këtë sezon.

Nuk ishte një gol i çfarëdoshëm: Kane arriti 50 gola për Bayern vetëm në vitin kalendarik 2025. Kjo është hera e parë në karrierën e tij që kapiteni i Anglisë ka arritur këto shifra golash në nivel klubi. I fundit që e arriti këtë sukses në Mynih ishte Robert Lewandowski, i cili shënoi 58 gola në vitin 2021.

Nga 50 golat e Kane në vitin 2025, 40 kanë ardhur në Bundesligë, gjashtë në Ligën e Kampionëve, tre në Kupën e Botës për Klube dhe një në Kupën e Gjermanisë. Por cilat janë objektivat e tij: “Dua të arrij kuotën e 100 golave në Bundesliga me Bayern”, tha sulmuesi, që deri më tani ka realizuar 80 gola.

Mundësisht që këtë sezon edhe pse e di që është e vështirë”, shtoi Harry Kane, që ka realizuar 80 gola në vetëm 77 ndeshje në kampionat. Ai është gjithashtu i pamëshirshëm nga pika e bardhë: Kane ka shndërruar në gol të gjitha 20 penalltitë e tij në Bundesligë për Bayern, një rekord i të gjitha kohërave me formë të përsosur.

Tetë ditë më parë, ai u bë gjithashtu lojtari më i shpejtë që shënoi dhjetë tregolësha në Ligën gjermane. Nëse ai e mban këtë ritëm, ish-lojtari i Tottenham pritet të kalojë 100 gola në Bundesliga para fundit të sezonit. Dhe askush në Gjermani nuk do të habitej.

The post Harry Kane me objektiv të qartë, synon të realizojë 100 gola në Bundesliga që këtë sezon appeared first on Telesport.