Kuvendi i Kosovës nuk u konstituua as në tentativën e pestë.
E propozuara për kryetare të Kuvendit nga Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk i mori votat e nevojshme as të mërkurën.
Kjo situatë ka shqetësuar jo vetëm qytetarët në vend, por edhe ambasadat e huaja.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka deklaruar se Kosova ka nevojë urgjente për një Kuvend dhe qeveri funksionale.
“Më shumë se dy muaj pasi populli i Kosovës votoi në zgjedhje, Kosova ka nevojë urgjente për një Kuvend dhe qeveri funksionale. Populli ka të drejtë të presë që liderët e tyre politikë të punojnë së bashku në interesin kombëtar”, tha diplomati britanik për Klanin.
Tashmë janë bërë më shumë se dy muaj prej se qytetarët dhanë besimin e tyre në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Por, vendi nuk ka as Kuvend të konstituuar, e rrjedhimisht as qeveri.
Nesër me fillim nga ora 11:00 do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive.
Mbetet të shihet nëse nga 25 prilli edhe zyrtarisht do ta kemi Parlamentin funksional.
Zyrtarisht, Albulena Haxhiu mbetet ende kandidate për kryetare të legjislativit.
E partitë opozitare në deklarimet e fundit nuk duket se kanë ndryshuar qëndrim ndaj saj, duke u deklaruar kundër saj.