Haradinaj: Vendimet e njëanshme e të pakoordinuara të Albin Kurtit me aleatët – shkatërrimtare për Kosovën

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se vendimet e njëanshme të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti janë shkatërrimtare për Kosovën dhe sabotim i shtetësisë së saj.

Kjo deklaratë e tij erdhi pasi autoritetet e Kosovës mbyllën sot nëntë objekte të Postës së Serbisë. Për këtë Qeveria mori kritika të ashpra nga BE-ja dhe SHBA-ja që i quajtën “veprime të njëanshme”.

POSTIMI I PLOTË I HARADINAJT:

Vendimet e njëanshme e të pakoordinuara të Albin Kurtit me aleatët, janë shkatërrimtare për Kosovën. Përpara se Albin Kurti ta “vrasë” dinarin serb në Kosovë, atë e ka vrarë Euro. Politika e tij populiste që mund të rrezikojë edhe jetët e pjesëtarëve të NATO-s, është sabotim e përpjekje për zhbërjen e shtetit.

Ky kryeministër është futur thellë në agjendën e Serbisë e cila për t’i demonizuar shqiptarët i ka vrarë edhe fëmijët e vet në Panda të Pejës. Po dyshoj nëse ky person, si shqiptari i vetëm i liruar nga burgu me dekret të Presidentit serb, Koshtunica, është duke i kryer obligimet që i ka marrë. Por, ia kujtoj atij e gjithë të tjerëve se Kosova ka zot dhe nuk ka qeveri të mund ta kthej mbrapa!