Kreu i AAK’së ka reaguar pasi KESCO njoftoi se nga nesër do ta blejë pothuajse të gjithë rrymën që nevojiten për konsumatorët pasi KEK është në kolaps.
“Kosova sot flen në thëngjill e s’ka energji. Sot ranë të gjitha blloqet, aktualisht ka zero prodhim të energjisë elektrike nga KEK. Kjo nuk është rastësi, është rezultat i një kolapsi të qëllimshëm, i diktuar nga direktiva politike dhe i ushqyer nga pazaret e tuxharëve të mafisë energjetike, të cilët sot kontrollojnë tregtinë me rrymë” ka shkruar Haradinaj.
“Të njëjtët që sot i lanë qytetarët pa energji, dikur krenoheshin se e kishin ndalur ndërtimin e Termocentralit Kosova C dhe se kishin refuzuar gazsjellësin amerikan. I ndalën projektet strategjike për shtetin, për të hapur rrugën e abuzimit dhe të pasurimit për një grusht njerëzish të lidhur me qeverinë” ka thënë tutje ai.
Haradinaj ka thënë se pushteti po hetohet, por tashmë ka theksuar se përgjegjësit dihen.
“Prokuroria dhe do të hetojë dhe gjejë gjithçka, por një dihet; se ky është krim që i është bërë këtij vendi dhe askush nuk duhet të shkojë në përgjegjësi para Kryeministrit në detyrë”, ka thënë ai.