Haradinaj: Të dyfishohen urgjentisht pagat për ushtarët e FSK-së dhe gjithë sektorin e sigurisë në Kosovë

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se është urgjencë që të dyfishohen pagat për të gjithë sektorin e sigurisë në Kosovë. 

Ai e tha këtë pas betimit të 344 ushtarëve të rinj të FSK-së, në një ceremoni të mbajtur sot. Haradinaj ka shkruar se paga e dinjitetshme e ushtarit, policit, inteligjencës e më gjerë është obligim qeveritar e kombëtar

“Të rinjtë tanë vazhdojnë të dëshmojnë përkushtimin e tyre për atdheun dhe sigurinë e vendit. Sot, 344 ushtarë të rinj u certifikuan, duke marrë përgjegjësinë për t’i shërbyer Kosovës me nder dhe përkushtim. Ky është një moment krenarie për ta, për familjet e tyre dhe për gjithë vendin.
Me përkushtim të madh, kam qenë gjithmonë në përkrahje të Forcave të Sigurisë, e po me atë përkushtim, ngritëm statusin e Forcës në Ushtri, me përkrahje të aleatëve. Sot, Kosova ka ushtrinë më të re, sipas modelit të NATO-s, të përkushtuar për sigurinë në vend, stabilitetin në rajon dhe të gatshme për operacione paqeruajtëse kudo në botë, si anëtare e NATO-s përkrah Amerikës dhe aleatëve tjerë strategjikë. Është urgjencë që të dyfishohen pagat për të gjithë sektorin e sigurisë në Kosovë, sidomos në këto rrethana mbi të cilat gjendet sektori i sigurisë në rajon e me gjerë. Paga e dinjitetshme e ushtarit, policit, inteligjencës e më gjerë është obligim qeveritar e kombëtar. Urime dhe shumë suksese në këtë mision fisnik!”, ka shkruar kreu i AAK-së.