Haradinaj: Taksa mund të hiqet, mos llogarisni në të
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një takim me të gjitha bizneset vendore në komunën e Pejës, u tha atyre që mos të shpresojnë në taksë, por ata të fuqizohen vetë pasi që taksa ka mundësi që të hiqet.
“Ne e kemi marrë vendimin për taksen dhe ky vendim nuk është marrë për shkak të prodhuesve vendorë. Ne e kemi marrë për shkaqe politike të sigurisë. Kjo masë nuk është e përhershme, mos mendoni që kjo rrinë tërë jetën. Kjo taksë ka shanca edhe të hiqet”, tha Haradinaj.
Kryeministri tha se koha kur do hiqet taksa do jetë atëherë kur Serbia do i plotësojë kushtet e kërkuara nga vendi ynë.
“Por kjo nuk do hiqet pa u kriju edhe kushtet për heqjen e kësaj takse. Shfrytëzojeni mundësinë sepse taksa nuk është e përjetshme. Serbia ka vendosë barriera jo tarifore që na ka bërë të pamundshme të operojmë me të, fakti që në Kosovë ne jemi treg i hapur për ta”, tha tutje Haradinaj.
Kryeministri tha se taksa është vendosur që ta prapësojë shtetin serb deri sa edhe potencoi se bora do shkrihet një ditë, pra edhe taksa do hiqet një ditë.
“Për me prapësu Serbinë me e kthy mbrapa jemi detyru me vendosë taksën. Ne s’po mundemi ta bindim Serbinë ta njohë shtetin tonë por kjo një ditë do të hiqet unë kam thënë që një ditë hiqet bora”, tha Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj gjatë ditës ka vizituar disa biznese vendëse në komunën e Pejës./eo