Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Shtetin e Izraelit është moment historik për shtetin tonë.
Ajo tha se njohja nga Izraeli thyen zinxhirin e fushatës agresive të Serbisë kundër Republikës sonë, duke krijuar terren për njohje universale të pavarësisë.
Po ashtu, Haradinaj-Stublla tha se suksesi ynë si shtet është ndërtuar mbi sakrificën e brezave të UÇK-së dhe popullit tonë, sukses i përbashkët me aleatin tonë të përjetshëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Postimi i plotë:
Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Shtetin e Izraelit është moment historik për shtetin tonë.
Kosova po çan nyjat e bllokadës me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shtetin e Izraelit, një moment ky i jashtëzakonshëm, i cili forcon subjektivitetin tonë ndërkombëtarë, rrëzon secilin argument për vendet mosnjohëse, dhe thyen zinxhirin e fushatës agresive të Serbisë kundër Republikës sonë, duke krijuar terren për njohje universale të pavarësisë.
Andaj, në këto momente të rëndësishme për vendin, në këtë momentum të ri të krijuar, kur argumentet dhe faktet historike për Kosovën mundin çdo paragjykim dhe demaskojnë secilën gënjeshtër të kundërshtarit tonë, u bëj thirrje që të jemi bashkë e me një zë: t’i bashkojmë forcat e mendjet që ta lartësojmë Kosovën e ta bëjmë atë pjesë të pashmangshme të Evropës së Bashkuar e anëtare krenare të OKB-së dhe organizatave tjera ndërkombëtare.
Por, kurrë gjatë rrugës sonë ne nuk duhet të harrojmë, se suksesi ynë si shtet është ndërtuar mbi sakrificën e brezave të UÇK-së dhe popullit tonë, sukses i përbashkët me aleatin tonë të përjetshëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirënjohje e thellë përjetë popullit dhe shtetit mik amerikan!
Po ashtu, në momentet më të rëndësishme të historisë së saj, Kosova kishte krah saj, si mbështetje politike, financiare e ushtarake edhe nga vendet kryesore të Bashkimit Evropian, e vendet tjera aleate tona, të cilat do të kenë përgjithmonë mirënjohjen tonë të thellë, dhe përkushtimin e përhershëm për kultivim e thellim të mëtejmë të lidhjes së Kosovës me botën.