Haradinaj sot në orën 14:00 pret një telefonatë nga Shtëpia e Bardhë
Këshilltari kryesor i Donald Trumpit, John Bolton, i cili është involvuar personalisht në procesin e bisedimeve Kosovë –Serbi, do ta telefonojë sot Kryeministrin Ramush Haradinaj, pasi ky i fundit po refuzon ta heq taksën. Në orën 14:00, kryeministri Ramush Haradinaj pret telefonatë prej John Bolton, që është këshilltar i presidentit amerikan, Donald Trump.
Kryeministri Haradinaj, pasi nuk iu bind kërkesës së ambasadës amerikane për ta hequr taksën, do të flas direkt me Shtëpinë e Bardhë, më saktësisht me John Bolton, këshilltar për siguri nacionale i Presidentit Trump.
Kështu bëjnë të ditur zyrtarë të qeverisë për Gazetën Express pa pranuar që t’u përmendet emri.
Edhe Bolton, pritet që t’i kërkojë heqjen e menjëhershme të taksës prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë.
Por së paku deri tash Haradinaj nuk ka dhënë shenja se do të pranojë ta heq taksën duke thënë se këtë do ta bëjë vetëm pasi Serbia ta njohë Kosovën.
Kryeministri Haradinaj ka deklaruar edhe dje në konferencën për media se nuk ka ndryshuar qëndrim rreth taksës as pas thirrjeve të hapura që po i bën Amerika dhe as pas propozimit të Veselit që taksa të pezullohet për tre muaj.
Shefi i Qeverisë të hënën i ka dërguar shteteve të QUINT’it një letër ku iu ka treguar kushtet që ai ka për ta hequr taksën.
Tutje, ai dje tha se kushdo që është kundër atyre kushteve, ai nuk e ka problem të prish raportet me ta, madje edhe nëse bëhet fjalë për SHBA’në.