Ramush Haradinaj, ka vlerësuar lartë figurën politike dhe institucionale të Avni Arifit, duke theksuar se rikthimi i tij në listën e Aleancës është i natyrshëm në një periudhë të rëndësishme për vendin.
Përmes një postimi, Haradinaj ka thënë se me Arifin kanë bashkëpunuar gjatë në politikë, në periudha sfiduese dhe në procese të rëndësishme për shtetin e Kosovës.
“Me Avni Arifin kemi rrugëtuar gjatë bashkë politikisht, në kohë sfidash, vendimesh të rëndësishme dhe angazhimi të pandalshëm për forcimin e shtetit të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.
Ai e ka cilësuar Arifin si një nga njerëzit më lojalë, korrektë dhe profesionalë, si brenda Aleancës ashtu edhe në institucionet ku ka ushtruar funksione.
Sipas Haradinajt, Avni Arifi i përket brezit të politikanëve që politikën e kanë parë si shërbim ndaj qytetarëve dhe shtetit, e jo si privilegj personal. Ai ka theksuar se përvoja institucionale dhe aftësia e Arifit për të ndërtuar ura bashkëpunimi kanë qenë vlerë për Kosovën në periudha të rëndësishme të zhvillimit shtetëror.
Haradinaj ka shtuar se vendit i nevojiten më shumë njerëz me përvojë, integritet dhe vizion politik, të cilët mbrojnë interesin shtetëror dhe kontribuojnë në forcimin e institucioneve dhe partneritetit me aleatët ndërkombëtarë.
Në fund, ai është shprehur i nderuar që në zgjedhjet e ardhshme do të garojnë bashkë në listën e Ardian Gjinit, duke premtuar përfaqësim dinjitoz dhe serioz për qytetarët.









