Haradinaj: Qëndrimi i opozitës është që të mos marrë pjesë në votimin e kryeparlamentarit

“Nuk do të ndahemi, por në parim ne jemi për, nuk kemi asgjë kundër, por nuk do të ndahemi nga opozita”

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se qëndrimi i opozitës është që të mos marrë pjesë në votimin për kryetarin e Kuvendit.

“Do të jetë qëndrim i përbashkët i opozitës – PDK, LDK dhe ne. Nuk do të ndahemi. Në parim jemi pro, nuk kemi asgjë kundër, por nuk do të ndahemi nga opozita”, ka thënë shkurtimisht Haradinaj para gazetarëve.

Seanca konstituive është paraparë të nisë në orën 10:00, por ende nuk janë mbledhur të gjithë deputetët e rinj.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë hyrjes në Kuvendin e Kosovës, refuzoi të përgjigjej nëse ka votat e mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit.

Ashtu si Kurti, edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nuk u përgjigj në këtë pyetje.

Mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës konsiderohet e mbyllur vetëm pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Në bazë të rezultatit zgjedhor, kryetari i Kuvendit do t’i takojë Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e cila ka fituar më së shumti vota. Por, nëse kjo parti nuk e propozon dikë për kryetar, procesi do të ngrijë në vend.

Por, nëse kryetari i Kuvendit zgjidhet, atëherë nisin tiktaket e orës për afatet tjera.

Presidentja e vendit obligohet që të nominojë partinë fituese të zgjedhjeve si mandatare për formimin e Qeverisë.