Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka vizituar Komunën e Fushë Kosovës ku është takuar me Kryetarin e kësaj Komune Burim Berisha ku kanë diskutuar për projektet zhvillimore në këtë komunë.
Haradinaj nuk i ka shpëtuar pyetjeve të gazetarëve lidhur me vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mos akreditimin e tri universiteteve publike për vitin akademik 2019-2020.
Kryeministri është pyetur se pse nuk po tregohet i ashpër edhe me Policinë e Prokurorinë sikur ndaj KShC-së.
Ai ka marrë shembull qytetin e Mitrovicës, që sipas tij s’ka ekonomi, e plot familje fëmijët i kanë në shtëpi, dhe nuk është dashur që të mirret vendimi për mos akreditim të Universitetit në këtë qytet.
“Ju e dini se Mitrovica tash nuk e ka Trepçën se ka, ekonomi s’ka, plot familje fëmijët i kanë në shtëpi. Në vend se me i ndalë programet për ata fëmijë është dashur me kërku një takim alarmues me të gjithë për me ndryshu cilësia ose kriteret ose ku është problemi. Por me u sjelle me aq indiferencë e me i ndalë programet.
Dikush po thotë që fakultetet tona janë të kqija, atëherë a ti ndalim krejt pra. Ne nuk guxojmë me u sjellë ashtu ndaj fëmijëve e të rinjëve” ka thënë Haradinaj. /GazetaExpress/