Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përshëndetur aksionin e Policisë së Kosovës në Gjakovë, ku 16 persona janë ndaluar, përfshirë katër oficerë të shërbimeve të sigurisë serbe.
“E përshëndesim aksionin e Policisë së Kosovës sot në Gjakovë. Ata që ikën të turpëruar nga këtu në vitin 1999, nuk kanë vend në Kosovë, për asnjë arsye”.
Haradinaj mw tej shtoi se kwto raste tregojnw se Kosova nuk wshtw vend pa tw zot, dhe se pagat e policisw janw detyrim i shtetit.
“Policia e Kosovës dhe të gjitha uniformat e shtetit të Kosovës vazhdimisht tregojnë se Kosova nuk është vend pa të Zot. Nuk u lëkundën dhe nuk na zhgënjyen asnjëherë. Rritja e pagave, dyfishimi i tyre, nuk është vetëm kërkesë, është detyrim i shtetit ndaj kësaj kategorie esenciale të Republikës së Kosovës”.
Në një operacion të përbashkët të realizuar nga organet e sigurisë së Republikës së Kosovës më 5 dhe 6 prill, janë ndaluar 16 persona të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë.
Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se mes të ndaluarve janë katër oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe dhe se hetimet po zhvillohen për dyshime serioze mbi aktivitetin e tyre.
Grupi i parë, i përbërë nga katër persona, është ndaluar në Gjakovë. Gjatë kontrollit të automjetit të tyre, organet e sigurisë kanë gjetur fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, imazhe të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sopatë dhe një dritë rotative. Sipas ministrit, të katërt janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit të rastit.
Grupi i dytë prej 12 personash është ndaluar në Prizren, teksa po qëndronin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë. Edhe në këtë grup janë identifikuar dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë.