Haradinaj për Limajn: “E shkuar e harruar”

Fatmir Limaj është “e shkuar e harruar” për Ramush Haradinajn.

Kështu deklaroi kreu i AAK-së pas seancës së sotme në Kuvend, kur u pyet nga gazetarët se a është emri i kreut të Nismës unifikues për t’u votuar si kryetar parlamenti.

“Gati sa nuk ekziston emri i tij as për diskutime, e as për tema të tilla”, shtoi Haradinaj.

Duke folur lidhur me situatën e ngërçit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ai tha se nëse vazhdon kështu, është duke u bërë shqetësim serioz jo veç për faktin se çka po ndodh në seancë, por edhe në vend.

“Ende po presim me shpresë se çka do të ndodhë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nëse na e hap mundësinë ose rrugën”, përfundoi Haradinaj.