Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar se në dhjetor të këtij viti mund të mbahen zgjedhjet parlamentare.
Deklarata u bë gjatë një adresimi drejtuar diasporës në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.
“Më 9 nëntor mbahen zgjedhjet në balotazh për komunat e Kosovës. Mos e neglizhoni rëndësinë e ditës së balotazhit, votoni prej atje nëse mundeni, komunikoni me familjet dhe të njohurit tuaj në Kosovë, apo ejani edhe njëherë e votoni në Kosovë. Në dhjetor mund të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare.”
Sipas rezultateve të fundit, AAK-ja ka fituar një komunë pa balotazh, ndërsa në pesë të tjera do të garojë në raundin e dytë.
Në Deçan partia korri fitore direkt, ndërsa balotazhi pritet në Gjakovë, Suharekë, Rahovec, Klinë dhe Junik.
Haradinaj ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në votim, duke bërë thirrje të veçanta për diasporën.