Haradinaj nga Kongresi i SHBA-së: Anëtarësimi në NATO, rruga e sigurt për të ardhmen e Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, po vazhdon vizitën e tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku në Kongresin Amerikan ka zhvilluar një takim të hapur dhe miqësor me kongresmenin Keith Self, Kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

Gjatë takimit, ai e falënderoi kongresmenin Self për mbështetjen e palëkundur të tij ndaj Kosovës, duke shprehur mirënjohjen e thellë për rolin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rrugëtimin e Kosovës nga liria, demokracia deri te pavarësia. Ai theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet rruga e drejtë dhe strategjike për të ardhmen e vendit dhe për forcimin e mëtejmë të partneritetit Kosovë–SHBA.

Haradinaj vlerësoi lart përvojën dhe angazhimin e kongresmenit Self, i cili është ish-oficer i Ushtrisë Amerikane me 25 vjet shërbim, i diplomuar në Akademinë Ushtarake të West Point-it, me përvojë të gjerë në Forcat Speciale dhe misione ndërkombëtare, duke e cilësuar takimin si një bashkëbisedim të veçantë dhe të rëndësishëm për Kosovën.

Ky takim vjen pas një sërë takimesh të zhvilluara në Kongresin Amerikan, ndërsa gjatë ditëve në vijim të vizitës së tij në SHBA, Ramush Haradinaj pritet të zhvillojë edhe takime në Pentagon.