Haradinaj nderon njërin nga figurat më të rëndësishme të luftës për lirinë e Kosovës, Bahri Fazliun

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, së bashku me bashkëpunëtorë ka nderuar Bahri Fazliun në 27-vjetorin e rënies.

“Në muajt e përvjetorëve të heronjve dhe dëshmorëve, sot nderojmë njërin nga figurat më të rëndësishme të luftës për lirinë e Kosovës, Bahri Fazliun. Njeri i pushkës dhe i penës, trim, guximtar e i vendosur deri në vetëmohim, Bahriu fitoi përjetësinë 27 vjet më parë, duke u bërë shembull frymëzimi për rininë shqiptare se si duhet dashur Atdheu dhe si sakrifikohet për të”.

“Si Bahriu, edhe shumë të tjerë nga çdo cep i vendit, i dhanë shumë lirisë së Kosovës. Më 7 maj të vitit 1999, në Çabrat, heronjtë e Brigadës 137 “Gjakova” zhvilluan një nga betejat më të lavdishme të luftës sonë çlirimtare”, ka thënë Haradinaj.

Po në këtë datë ranë heroikisht: Gani Brahimaj nga Jabllanica, Françesko Xhyzepe Bider nga Biella e Italisë, Pjerë Arno Pajar nga Franca, Murad Muhamet Ali nga Algjeria, Nuhi Rrustem Berisha, Adnan Nexhmedin Krasniqi, Demush Isuf Lata, Demush Mavraj, Sinan Latif Berisha, Tomë Gjokaj, Hamdi Çetaj, Luan Krasniqi, Luan Smajli, Osman Tafa, Visar Juniku, Yllka Domi, Bujar Roka dhe Ahmet Xhikolli.

“I dërrmuar nga humbjet në front, armiku u hakmor mbi civilët e pafajshëm. Në Gjakovë, te Ura e Taliqit, dhe në Ozdrim të Pejës, ku u ekzekutuan mizorisht 13 shqiptarë, një fshat që kishte qenë i përkushtuar ndaj lirisë që nga ditët e para të luftës. Përgjithmonë krenar me heronjtë tanë, me të rënët për liri dhe me rrugëtimin tonë për liri!”, ka theksuar Haradinaj.