Kryeministri Ramush Haradinaj pas takimit me ministrin gjerman të Shëndetësisë, Jens Spahn, tha se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Gjermanisë janë në nivelin më të lartë të mundshëm.
Postimi i tij i plotë:
Gjermania vazhdon të jetë përkrahësi kryesor i Kosovës në zhvillim dhe integrime euro-atlantike.
Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe shtetit gjerman janë në nivelin më të lartë të mundshëm dhe ky bashkëpunim po intensifikohet përmes investimeve në sektorin e shëndetësisë dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale përmes asistencës së ekspertëve gjermanë.
Kënaqësi ta prisja Ministrin e Shëndetësisë të Republikës Federale të Gjermanisë, Jens Spahn, me të cilin diskutuam për thellimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e shëndetësisë, në certifikimin e mjekëve, infermierëve, ngritjen e shërbimeve mjekësore dhe përmirësimin në arsimin mjekësor duke rritur kapacitetet e Kosovës në ofrimin e shërbimeve mjekësore për në tregun gjerman dhe atë europian.
Për më shumë, Parku Inovativ Gjerman në Prizren është mundësi e mirë për të bashkëpunuar në këto fusha.