Haradinaj: Kushdo që voton për Qeverinë Kurti 3 është argat i Serbisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë një deklaratë të ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti.

Sipas Haradinajt, kushdo që ndihmon në formimin e Qeverisë Kurti III është “argat i Serbisë dhe Rusisë”.

“Sa i përket qeverisë, unë jam i bindur: kushdo që e ndihmon, pra Qeverinë Kurti III, është argat i Serbisë dhe Rusisë. Këtë nuk e ndryshoj. Është serioze”, ka thënë Haradinaj në emisionin Debat Plus.

Haradinaj ka drejtuar gjithashtu akuza ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me politikën energjetike të qeverisë dhe vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor.

Haradinaj ka thënë se Kurti ka vepruar për vite me radhë kundër fuqizimit të sektorit energjetik të Kosovës, duke penguar zhvillimin e kapaciteteve të reja prodhuese, fillimisht me qymyr e më pas me gaz.

“Kurti, ose mashtruesi, me dekada ka punuar kundër forcimit të sektorit energjetik të Kosovës, duke pamundësuar ndërtimin e kapaciteteve të reja — dikur ato me qymyr, pastaj ato me gaz. Kurti në vazhdimësi ka punuar për interesa të një grupi të vogël, të atyre që shesin e blejnë energji. Është plotësisht në funksion të tyre.

Dhe së fundmi, Kurti i quan 1 për qind (bizneset), e e patë me çfarë demagogjie po përpiqet sërish ta mashtrojë popullin, duke i thënë një pjese të tij: ‘Mos u mërzitni për këta…’”, ka deklaruar Haradinaj.