Haradinaj: Kurtit po i rrëshqet toka nën këmbë e dëshpërimisht po e kërkon shpëtimin e vet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas takimit të kryeministrit me kryetarin e PDK-së, takim ky që refuzoi t’i bashkangjitej Haradinaj.

Haradinaj përmes një postimi ka shkruar se së fundmi është aktualizuar një nismë për shpërbërjen e Parlamentit, duke shkruar se pas tri vitesh qeverisje kryeministri po kërkon takim me liderët e opozitës.

“S’ka asnjë medyshje se prapa kësaj nisme është Kryeministri. Duket që po i rrëshqet toka nën këmbë dhe dëshpërimisht po e kërkon shpëtimin e vet. Në këtë prizmë duhet parë edhe insistimi i tij që pas tre vjet qeverisjeje, më në fund kërkon takim me liderët e opozitës, në mos ata po bëhen shpëtimtarët e tij,” ka shkruar Haradinaj.

E shpërbërjen e Parlamentit, Haradinaj thotë se AAK-ja do e mbështeste vetëm në rast se Kurti jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit.

“Sidoqoftë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të mund ta mbështeste shpërbërjen e Parlamentit, vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kryeministrit. Në situatën në të cilën jemi aktualisht, të gjitha dështimet e Kosovës, brenda dhe jashtë, e kanë vetëm një emër – Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti,” shkruan Haradinaj.