Kandidati për kryeministër dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka folur për veprimet e Qeverisë Kurti në Veri të vendit dhe për acarimin me aleatët.Sipas Haradinaj, Kurti jo vetëm që është duke ndjekur agjendën e Serbisë por “është agjent i Serbisë”.
“Jo vetëm agjendë, por Kurti është edhe agjent i Serbisë, punon për ta”, ka thënë Haradinaj në FRONTAL të T7.
Tutje kreu i AAK-së ka thënë se në Kosovë mund të ketë ende njerëz që mund të besojnë se Kurti është patriot, megjithatë thotë se aleatët e Kosovës nuk i besojnë Kurtit meqë ata e dinë të dallojnë patriotin e vërtetë dhe mashtruesin.
“Kurtin ende mujn me e kuptu si patriot. Por aleatët tonë që i shërbjenë vendit vet dhe që vdesin për flamurin amerikan dhe që na rujnë qeh 25 vjet e na mbrojnë nuk po i besojnë Kurtit. Sepse dinë ta dallojnë patriotin e vërtetë dhe mashtruesin”, ka potencuar kreu i AAK-së.
Haradinaj ka thënë se nëse Kurti do të kishte dashur, ka mundur të përfundojë problemin e Veriut me planin e Amerikës, megjithatë thotë se diçka e tillë s’ka ndodhur, meqë “Kurti i ka shërby agjendës serbe e ruse”.
Lideri i AAK-së pretendon se këto veprime s’bëhen pa vetëdije.
“Këto s’ndodhin pa vetëdije. Me e largu kaq shumë Kosovën prej SHBA-së s’ndodh rastësisht”, ka potencuar Haradinaj.
Për temën e Urës së Ibrit, Haradinaj thotë se Kurti s’ka për qëllim që ta hapë të njëjtën, por vetëm për të nxitur përçarje mes Kosovës dhe aleatëve dhe “për t’u arsyetuar tek punëdhënësit në Beograd e Moskë”.
Lidhur me vizitën e shefit të CIA-s dhe synimin për hapjen e Urës së Ibrit, Haradinaj thotë se “Kurti i ka shymë dritat”.
“I ka shkym dritat për Urën, s’guxon me folë mo. Me e mlu marren e Urës, po i bon disa lëvizje atje”, ka thënë kreu i AAK-së.