Ramush Haradinaj thotë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ‘në princip e voton kryetarin e Kuvendit’.
“Në princip voojmë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Do të bëjmë konsulta të ndërsjella me partitë tjera opozitare, me PDK dhe LDK.
Konsiderojmë se konstituimi i Kuvendit është në interes të të gjithëve.
Aleanca angazhohet që qeverinë ta krijojë opozita”, thotë ai sot, pasi u regjistrua si deputet i legjislaturës së ardhshme të Kuvendit të Kosovës.
Haradinaj u shpreh sërish i ashpër me partnerin e koalicionit, Fatmir Limajn – rreth pozicionimit të tij që nënkupton edhe mundësinë e votimit të një qeverie të re të Albin Kurtit.
“Nuk kemi komunikim me Limajn, nga intervista e fundit e famshme.
Ka qenë shumë e vështirë pra krijimi i shumicës nga opozita vetvetiu. Pozicionimi i tij i hersëm e ka bërë shumë më të vështirë, ka qenë i parakohshëm.
Nëse Nisma dhe Limaj mbështesin pushtetin, kuptohet që ata ndahen nga ne, por është ndarje e turpshme sepse kemi kërku votë për ndryshim dhe sjellja e tyre, veprimi i tyre është mjaft i turpshëm.
Në praktikë nuk kemi pengu kurrë konstituimin e Kuvendit, dhe këtë nuk e bëjmë ndaraz nga opozita.
Nuk besoj që partitë opozitare do të pozicionohen kundër konstituimit të Kuvendit.
Por ndryshe, është ndarje e turpshme, nuk është në rregull kur kemi kërkuar votë për ndryshim gjithandej vendit.
Për Vetëvendosjen e kemi një kërkesë, ata me dalë në opozitë, për opozitën nuk kemi asnjë kusht.
Nëse ndahet Limaj, është më vështirë, por do të vazhdojmë për shkak se edhe me votat e shumicës ende nuk ka një shumicë Vetëvendosje”, tha Haradinaj.
Veç Haradinajt, sot në Kuvend është regjistruar edhe Nenad Rashiq.
Ai është pyetur nga gazetarët nëse do ta votonte një qeveri të përbërë nga partitë që ishin në opozitë.
Duke mos e mohuar as pohuar votën pro, Rashiq vetëm tha se ‘ky është proces i gjatë’.
Megjithëkëtë, shton se ai preferon që Qeveria të formohet nga partia e parë.
“Nuk jam optimist që do të votojmë nesër qeverinë”, thotë Rashiq, ndërkaq shton se nëse ‘vjen puna për një qeveri të opozitës, është një proces i gjatë’.
“Është proces i gjatë. Shikoni, është proces i gjatë, nuk është hera e parë që mund të ndodhë një ngërç. Nëse nuk gaboj më 2014 kemi pasë një situatë të tillë por pas dy apo tre muajsh u zgjidh ajo krizë”, tha ai.