Haradinaj kritikon qëndrimin e LDK-së, Abdixhiku i përgjigjet: Po lodheni kot, presioni veç po na forcon

 

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka komentuar situatën politike pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti është në prag të opozitës. Sipas Haradinajt, e vetmja mundësi që Kurti të qëndrojë në pushtet është përmes një marrëveshjeje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Në një intervistë në Debat Plus, Haradinaj deklaroi se Kurti tashmë e sheh veten jashtë pushtetit, teksa theksoi se LDK-ja ka një rol kyç në formimin e qeverisë së re dhe se qëndrimi i saj aktual është bllokues për krijimin e një qeverie opozitare.

“Ai realisht është në opozitë. Të vetmin shpëtim e ka kah LDK-ja. Nëse LDK-ja dëshiron ta shpëtojë me mbajtë ende, mundet. Përndryshe, nëse LDK bashkëpunon me opozitën, ne e krijojmë qeverinë”, ka thënë Haradinaj në Debat Plus.

Haradinaj kritikon qëndrimin e LDK-së: Pozicion bllokues, pamundëson krijimin e qeverisë së opozitës

Në reagimin e tij ndaj këtyre deklaratave, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, tha se partia e tij nuk do të ndikohet nga presionet politike dhe se qëndrimi i LDK-së mbetet i pandryshuar.

“Për këto sulmet e gjithëanshme ndërsa, nga politikanë, mendimtarë publiko-partiak e secili që disi merr të drejtë të na tregojë se çfarë vendimi e qëndrimi na u dashka të mbajmë ne si LDK, për gjithë këta bashkë, u them se lodheni kot! LDK po flet drejtë – po flet njejtë, po flet siç e kanë drejtuar votuesit e vet. Mbi të gjitha, LDK po flet me dioptri realiste në vend. Ky realitet nuk na pëlqen, por ai nuk ndryshon sado që investohet në antifushatë ndaj nesh!

Ja ku e keni të parin. E ka rendin ai. Kur vjen rendi tek ne, nëse vjen ndonjëherë, qëndrimet i keni të qarta; dhe ato nuk ndryshojnë!

Ndoshta dhe janë mësuar që kjo LDK t’ua bëjë politikën për qejf. Ndoshta dhe janë mësuar se me presion të tillë LDK liget e eventualisht dhe bjen. Ky presion veç po na forcon

Sa pak kanë kuptuar në gjithë këto katër vjet. Që ta kuptojnë mirë dhe qartë, ajo politikë është e vdekur tashmë! Nuk kthehet më”, ka shkruar Abixhiku.

LDK tashmë e ka bërë të qartë se nuk do të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa për partitë e tjera opozitare (PDK dhe AAK), ka vendosur kushte të qarta për çdo marrëveshje të mundshme.

“Nuk duam dhe nuk punojmë për bashkëpunim me ta (VV-në)… LDK-ja nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie pa pozitën e kryeministrit”, ka thënë Abidxhiku disa ditë më herët.