Haradinaj: Kërkesa për heqjen e taksës ka për qëllim të na disiplinojë për më shumë kompromise në marrëveshjen me Serbinë

Kryeministri Ramush Haradinaj e ka komentuar deklaratën e Ministrit të Jashtëm të Serbisë Ivica Daçiq i cili ka thënë se presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel kanë kërkuar nga Haradinaj që ta heqë taksën në këmbim të liberalizimit të vizave.

Haradinaj ka ripërsëritur se liberalizimi i vizave do të ndodhë shumë shpejt.

“Ju siguroj se vizat nuk i kemi larg që t’i marrim. Sot e kemi pasë këtu Ministrin e Shëndetësisë të Gjermanisë [Jens Spahn] me të cilin kam biseduar edhe për këtë”.

“Jemi në punë, nuk është larg dita e marrjes së vendimit. Nuk është e lidhur me taksën”.

“Sikur ta kishim liberalizimin e vizave do të krijohej një atmosferë krejt tjetër në Ballkan. Kjo e qetëson Ballkanin sepse ne jemi të vetmit të izoluar dhe i kemi kryer krejt kriteret”.

Megjithatë, ai e ka pranuar se kërkesa për pezullimin e taksës është prezente dhe lidhet me marrëveshjen me Serbinë, njofton Klan Kosova.

“E vërteta është që kërkesa për pezullim të taksës ekziston. Unë mendoj që është kërkesë që të na disiplinojë që ta pranojmë një zgjidhje me më shumë kompromise në marrëveshjen finale me Serbinë”.

“Prej nesh nuk ka mbetur shumë që të japim. Ne i kemi kryer obligimet që i kemi pasë dhe nuk kemi çfarë të japim për njohjen, por mund ta japim një partner ekonomik për Serbinë”.

“Kur na njeh Serbia, hiqet edhe taksa. Taksa nuk është vetëm taksë dhe tregti, por është edhe një kriter se a jemi shtet apo jo”.

Ai ka thënë se nëse Kosova lëshon pe për taksën para njohjes, atëherë do ta ketë më të vështirë një marrëveshje finale me Serbinë në pozicione të barabarta.

Por, si e sheh kryeministri i vendit vizitën e presidentit francez Emmanuel Macron në Serbi?

“Unë e kam pasë një bisedë telefonik me këshilltarin e lartë diplomatik të presidentit francez Emmanuel Macron para kësaj vizite. Na është sqaruar vizita dhe qëndrimi i Francës e cila e ka njohur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran me territorin dhe kufijtë e vet”.

“Kuptohet që edhe marrëdhëniet Francë-Serbi i kanë me rëndësi, por nuk ndryshon raporti me Kosovën. Mirë është që i gjithë rajoni jonë të avancojë drejt BE-së”.

“Nuk është mirë Kosova të japë shenjë të dorëzimit, dobësimit ose nënshtrimit në etapën finale sepse nëse jep një shembull të tillë kërkesat do të rriten për konsensus më të madh”.

Kryeministri Ramush Haradinaj këto komente i ka bërë gjatë një vizite pune në komunën e Vushtrrisë.