Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur në një konferencë të jashtëzakonshme për marrëveshjen e arritur sot që i hap rrugë ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Haradinaj kërkesën e LDK-së e konsideron si të panevojshme, por siç thotë ai e kanë pranuar për t’i hapur rrugë votimit të marrëveshjes.
“Mendoj se ka qenë e panevojshme të ndryshohet kjo pikë, por kam mbështetur kërkesën e LDK-së, për shkak të daljes nga kjo situatë” , ka thënë Haradinaj.
Kemi një ndryshim substancial, kemi dakordim me LDK dhe pas kësaj besoj se janë krijuar mundësitë për ratifikimin e marrëveshjes.
“Me marrëveshjen e sotme i kemi hapur mundësi deputetëve që të lëvizin. E kemi pranuar kërkesën e LDK-së dhe të ecim përpara. Ligji përmban Marrëveshjen e gushtit 2015, deklaratën e përbashkët të dy presidentëve, Thaçi dhe Vujanoviç si dhe Raportin e Komisionit Shtetëror për shënimin e kufirit me Malin e Zi”, është shprehur kryeministri Haradinaj
“Në nenin 3, pika 1.2 ku thotë se dokumentacioni do të përdoret si orientim, pra vetëm kjo është shtuar e që ka qenë kërkesë e LDK-së në mënyrë që të ecim përpara”, tha ai.
“Nuk kemi arritur akoma konsensus me Listën Serbe, por e kemi njoftuar për arritjen e konsensusit”, ka theksuar Haradinaj.