Sot në fshatin Studime të Vushtrrisë janë përkujtuar mbi 100 shqiptarë të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës para 19 vitesh.
Në nderim të të rënëve përveç familjarëve dhe qytetarëve të shumtë, në këtë Akademi të mbajtur nën patronazhin e kryetarit të komunës, Xhafer Tahiri, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues politik dhe institucional qendror dhe lokal si kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka thënë se dhembja dhe sakrifica nuk do të tjetërsohet, dhe se plagët për këta të rënë janë ende të freskëta.
“Sot kujtojmë e nderojmë 116 martirët e masakrës së Studimes. Historia e dhembjes dhe sakrificës shqiptare nuk mund të tjetërsohet e as relativizohet. Dëshmi e betim për të drejtën tonë janë tokat e mbjellura me varre gjithandej vendit. Kosova për paqe ka dhënë më të shtrenjtën, jetën e mijëra njerëzve, dhe nuk ka çfarë të jap më.
Plagët e popullit tonë janë ende të freskëta dhe nuk mund të mbyllen pa u ndëshkuar të gjitha krimet. Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës”, ka theksuar Haradinaj.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka kërkuar që institucionet e drejtësisë vendore e ndërkombëtare të zbardhin rastin e Studimes. “Të gjithë i njohin dhe i dinë kush ishin komandantet e ushtrisë e të policisë në atë kohë në Vushtrri, që nëse për asgjë tjetër duhet të gjykohen nga drejtësia për përgjegjësinë komanduese që kishin. Sot nga ky vend i larë me gjak i bëjmë thirrje që drejtësia në Kosovë, vendore a ndërkombëtare të zbardhë masakrën në Studime dhe urdhërdhënësit e ekzekutorët e saj të marrin dënimin e merituar”, ka deklaruar Tahiri.
Ndërsa, në emër të familjarëve të të rënëve ka folur Latif Gërxhaliu, i cili nga institucionet, ka kërkuar që të bëjnë më shumë që kryesit e krimeve të dalin para drejtësisë.