Në 20-vjetorin e rënies së heroit , Bahri Fazliu, kryeministri i Republikës së Kosovës, bëri homazhe dhe vendosi kurora lulesh te lapidari i heronjve të Kosovës, Fahri dhe Bahri Fazliu.
“Vëlla për nga gjaku dhe arma i Fahri Fazlisë, Bahriu, krenar siç edhe jetoi, ra në kufi me kokën lartë, duke e zgjedhur flijimin për lirinë dhe dinjitetin e vendit, si fat jetësor. Guximi dhe atdhedashuria e Bahri Fazliut, e bënë të pavdekshëm, duke ia siguruar vendin meritor në historinë e re të Kosovës. Lavdi e përjetshme heronjve të lirisë”, ka deklaruar Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj tha se në LKÇK dikur ka njohur djemtë më të pastër shqiptarë, për nga ideali i lirisë dhe ai kombëtar, duke thënë se nga përvoja tij me ata që i ka njohur, gjatë dhe pas luftës vërtetë ka gjetur te ata një pastërti të jashtëzakonshme të idealit kombëtar dhe të lirisë. Diçka që kombin tonë e nderon ashtu siç e nderon Ukshin Hoti, Bahri Fazliu si dhe ata burra të cilët gjatë rrugës së tyre jetësore na kanë dhënë mundësinë, që ne të thirremi në këto rrugë dhe në këto argumente.
“Tradita me u bashku në këtë vend dhe me i nderu këtu ku pushojnë, pastaj mbamendja historike që e krijomë në këto përvjetorë, sado që ndonjëherë mendohet që është përsëritje e ka vlerën e vet dhe në këto vende të shënuara të historisë sonë ia vlen me u bashku të gjithë ngado që vijmë, pa marrë parasysh edhe sot çfarë përkatësish kemi, qoftë politike apo të tjera, një përkatësi nuk ndërron, jemi të këtij vendi, jemi shqiptarë, jemi në të drejtën tonë”, tha kryeministri Haradinaj.
Sipas kryeministrit Haradinaj e drejta e shqiptarëve duhet parë edhe si e fragmentarizuar për shkak se dëshira për ta realizuar të tërën me një projekt të përbashkët që kishim dhe që ishte e drejtë e luftës për liri e çlirim dha një pjesë të rezultateve por nuk i dha krejt ato rezultate, ato pritje.
“Duke i konsoliduar të arriturat e tashme ne nuk dalim nga rruga e dëshmorëve dhe atdhetarëve tanë. Nëse shkojmë nga një konsolidim i kujdesshëm i të arriturave, pikërisht sakrificës dhe gjakut të Bahriut, Fazliut, Luanit e të tjerëve, ne krijojmë bazë për etapat e ardhshme, për të drejtën tonë, si shqiptarë në trojet tona në Ballkan”, tha kryeministri Haradinaj.
Në emër të familjes Fazliu, të pranishmit i përshëndeti nipi i Bahri Fazliut, Fahri Fazliu i ri.
Të pranishëm në këto homazhe ishin edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati me bashkëpunëtorë, familjarë, përfaqësues të jetë politike, përfaqësues nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qytetarë të shumtë.