Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj në një konferencë për shtyp deklaroi se hapja e negociatave nuk është vetëm proces teknik dhe vetëm çështje e përmbushjes së kushteve objektive, por është çështje edhe e vullnetit politik që duhet të karakterizojë vendet anëtare të BE.
I pyetur në lidhje me shtyrjen e vendimit për hapjen e negociatave në shtator, Cakaj tha se, “Kryeministrit Rama nuk i kërkuar askush shtyrjen e vendimit sepse kryeministri Rama nuk e përcakton axhendën e Këshillit, por ai ka thënë zëshëm një fakt që ka filluar të qarkullojë në vendet anëtare që për shkak të kufizimeve kohore, duke qenë se koha në dispozicion do të jetë tepër e shkurtër nga momenti i publikimit të raportit deri tek vendimi i Këshillit, mund të ketë edhe shtyrje të vendimmarrjes”.
“Unë iu referova qershorit, jo si opinion personal, por muaji qershor është përmendur në vetë konkluzionet e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në qershor të vitit të kaluar. Kësisoj ne mbesim shpresëplotë që gjetjet e Komisionit do të shndërrohen në vullnet politik të Këshillit në mënyrë që ajo që sot është aspiratë historike, nesër të bëhet realitet politik. Përkatësisht Shqipëria të fillojë me procesin e negociimit të anëtarësimit në BE”, theksoi Cakaj.
Cakaj shtoi se, “nëse detyrat janë përmbushur këtë do ta thotë arbitri final më i lartë dhe objektiv që është Komisioni Europian. Ne mbetemi shpresëplotë që hapja e negociatave do të bëhet realitet bazuar në meritat që ka arritur Shqipëria në këtë proces”./atsh