Hapet thirrja publike për mbështetje të familjeve për investim në ngrohje efiçiente

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rzivanolli ka lansuar thirrjen publike për “mbështetje konsumatorëve familjarë për investimin në pajisje efiçiente për ngrohje”.

Pjesëmarrës në këtë lansim ishte edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, ku para lansimit, fillimisht kanë bashkëbiseduar me qytetarët për këtë masë.

Ky lansim, u bë në kuadër të pakos emergjente për energji e mbështetur nga Komisioni Evropian, me qëllim të zbutjes së ndikimit të krizës energjetike evropiane e të cilat zbatohen nga Ministria e Ekonomisë.

Gjatë lansimit, Kurti ka bërë të ditur se afër 5 mijë familje pritet të përfitojnë nga kjo thirrje, ndërsa në të kaluarën ka shkuar në mbi 40 mijë familje përfituese.

“Tashmë kemi përkrahur 40 mijë familje të vendit tonë me rreth 40 milionë euro, disa prej tyre për të blerë pajisje të këtilla për ngrohje, disa për të blerë pajisje elektro-shtëpiake, disa për t’i izoluar shtëpitë e për t’i ndërruar dyert e dritaret, e disa për të instaluar sisteme diellore për ngrohje të ujit e prishim të energjisë. Dimri që kemi përpara do të jetë më i ngrohtë, përditshmëria e tyre është me e lehtë dhe më e rehatshme e të njëjtën kohë faturat e tyre të energjisë elektrike janë më të ulëta mesatarisht për 19 për qind. Një gjë të tillë po synojmë ta ofrojmë edhe për afro 5 mijë familje të tjera nëpërmjet kësaj thirrje që po e hapim sot”, ka deklaruar kryeministri.

Për kalda me biomasë vlera e subvencionit do të jetë 70%, apo deri në 1,200 euro, për klimë do të jetë 40% e vlerës apo deri në 400 euro, për pompë termike deri në 2 mijë euro ndërsa për stufë individuale me biomasë deri në 435 euro.

Të gjithë ata qytetarë të cilët blejnë klimë efiçiente, kalda me biomasë, pompë termike si dhe stufë individuale me biomasë do të subvencionohen nga fondet që janë siguruar nga Bashkimi Evropian.

Qytetarët do të duhet të aplikojnë në platformën E-Kosova për subvencionim.