Pas bllokimit si pasojë e vërshimeve në Drenas, aksi rrugor Drenas-Komoran është sërish i kalueshëm. Lajmi u konfirmua nga kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili bëri të ditur se rënia e nivelit të ujit ka mundësuar lehtësimin e qarkullimit për automjetet.
Megjithatë, kreu i komunës ka paralajmëruar se rreziku nuk ka kaluar plotësisht. Ai u kërkoi qytetarëve që të respektojnë rreptësisht sinjalistikën emergjente dhe shiritat mbrojtës që ndalojnë qarkullimin në segmente të caktuara dhe pranë urave të dëmtuara.
Lladrovci shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e qytetarëve me organet kompetente gjatë kësaj krize natyrore, duke theksuar se puna e ekipeve në terren po vazhdon për sanimin e pasojave të vërshimeve.
“Falënderoj qytetarët për respektim të urdhrave të organeve kompetente dhe kontribuuesit për lehtësimin e gjendjes në këto vërshime të përmasave të mëdha në komunën e Drenasit”, shkroi Lladrovci në Facebook.










