Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick dha një deklaratë për media para ndeshjes së nesërme (e shtunë) ndaj Las Palmas në kampionat.
Tekniku gjerman diskutoi për tema të ndryshme, duke filluar nga Benfica si kundërshtari i ardhshëm i Barcelonës në 1/8-tën e Ligës së Kampionëve, deri tek Vitor Roque dhe situata me lëndime brenda klubit.
Sa i përket Roques, Flick konfirmoi tërthorazi se braziliani nuk ka më të ardhme tek Barcelona pasi vendosi të largohej në drejtim të Real Betisit.
Java që lamë pas u përcoll me shumë thashetheme sa i përket sulmuesit brazilian, ku tashmë ka disa raportime se ai mund të kthehet në Brazil.
Interesim për të siguruar shërbimet e Roques ka shprehur Palmeiras që janë të gatshëm të ofrojnë 25 milionë euro për shërbimet e tij.
Kur u pyet për interesimin e klubit brazilian për lojtarin, Flick refuzoi të komentonte duke hedhur përgjegjësinë diku tjetër.
“Nuk është puna ime. Nëse diçka ndryshon, është puna e Decos”, ka thënë Flick.
Eksperti i transferimeve Fabrizio Romano ka bërë me dije se Roque nuk ka të ardhme tek Barcelona pa marrë parasysh se çfarë ndodhë me Palmeiras dhe Betis.
“Vitor Roque nuk ka të ardhme tek Barcelona në asnjë variant, pa marrë parasysh çfarë ndodhë me Palmeiras dhe Betis”.
“Hansi Flick nuk llogarit më tek Roque dhe shitja e brazilianit mbetet një ndër lëvizjet e planifikuara”, ka shkruar Romano.