Hamza zbulon bisedën me Kurtin: PDK e voton dikë nga familja Jashari për President

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se në rast se do të ishte dikush nga familja Jashari, kandidat për president, atëherë 22 votat e PDK-së do të ishin për të.

Ai ka thënë se i ka thënë Albin Kurtit në takim se PDK e përkrah një kandidat për President nga familja Jashari.

“E ka ditur edhe Kurti edhe unë që nëse është dikush nga familja Jashari, ka me pasur përkrahjen. Ka qenë e diskutuar në takim, nëse është dikush i familjes Jashari mundet me pas përkrahjes, kjo nga takimi parë që ka ndodhur të dielën e kaluar, para 1 jave”, tha ai.

Tutje, Hamza tha se është i bindur se edhe partitë e tjera do pajtoheshin me këtë.

“Janë rast i veçantë në histori, është vlerë tjetër në krahasim me gjithçka. Po që se do vinte një kandidat i familjes Jashari, unë jam i sigurt se 22 vota të PDK-së do të kishin me qenë për atë kandidat”, tha Hamza në Pressing.

“Ne kemi dëgju deklaratat e anëtarëve të kësaj familje dhe për mua çdo vendim që e merr kjo familje është i respektuar”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) ka thënë të dielën se beson që Murat Jashari – nga familja e heroit Adem Jashari – do të ishte figura ideale për pozitën e presidentit dhe nëse për partitë politike në Kosovë ka qenë e pamundshme të gjendet një figurë unifikuese për këtë pozitë, atëherë pajtohet që secila parti të ketë kandidatin e vet për president në Kuvend.

Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit, vëllait të Adem Jasharit, dhe anëtarë tjerë të familjes, e kanë bërë të qartë më herët gjatë javës se nuk kanë ambicie për pozitën e presidentit, dhe një pozitë të tillë do ta shqyrtonin vetëm një rast të ndonjë gjendjeje të jashtëzakonshme apo lufte civile.

Kurti e ka përmendur se marrë për bazë situatën aktuale gjeopolitike në botë, ai beson se vendit i duhet “një figurë që u bën ballë shtrëngatave” me të cilat përballet shteti, prandaj sipas tij, Murat Jashari “do të ishte zgjedhja e duhur në momentin e duhur” dhe vazhdon të mbetet rasti ideal.

“Bindja ime ka qenë dhe vazhdon të mbetet se një figurë, profesor e personalitet sikurse Murat Jashari, do të gëzonte mbështetje gjithëpartiake, do të ishte nder për republikën, stabilitet për institucionin dhe siguri për kombin. Rrethanat gjeopolitike, lufta në Ukrainë, konflikti SHBA-Iran dhe tensionet në Lindjen e Afërt dhe të Mesme, si dhe kërcënimet e njëpasnjëshme nga Serbia, përfshirë agresionin terrorist në Banjskë, sulmin kinetik në kanalin e Ibër-Lepencit, dhe kërcënimet e përditshme nga fqinji ynë verior kërkojnë një moment reflektimi”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së.