Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza ka shkuar në Hagë për t’i vizituar ish-krerët e UÇK-së dhe ish-bashkëpartiakët Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli në paraburgimin e Gjykatës Speciale.
Hamza përmes një postimi në Facebook, ka treguar se për këtë vizitë, duke bërë me dije se Thaçi dhe Veseli janë në gjendje të mirë dhe janë me plotë shpresë për lirinë.
Ky është postimi i plotë:
Edhe një herë në Hagë për t’i vizituar presidentin Thaçi dhe kryetarin Veseli. I gjeta të fortë dhe i lashë me plot shpresë se e vërteta e luftës sonë çlirimtare së shpejti do të triumfojë. Me qëndrueshmërinë e tyre, me besimin e palëkundur në drejtësinë, në Kosovën tonë dhe aleatët tanë, ata vazhdojnë të jenë frymëzim për të gjithë ne.
E vërteta historike, ajo që populli ynë e ka përjetuar, padyshim se do të rikonfirmohet edhe në Hagë.
Kosova, me padurim, tanimë është duke i numëruar javët dhe ditët e rikthimit të tyre, me bashkëluftëtarët e tyre, në mesin tonë.