Hamza takon Sørensen: Institucione funksionale dhe rikthim i Kosovës në agjendën evropiane sa më parë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur sot në takim të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen.

Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, nevojën e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja, forcimin e stabilitetit institucional, si dhe rëndësinë e rikthimit të Kosovës në agjendën e integrimit evropian.

Me këtë rast, kryetari Hamza theksoi përkushtimin e Partisë Demokratike të Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, duke nënvizuar rolin e tyre në proceset kyçe për vendin dhe rajonin.

“PDK mbetet e përkushtuar për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë në shërbim të paqes dhe stabilitet rajonal,” u shpreh Hamza.