Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ku është diskutuar perspektiva evropiane e vendit dhe domosdoshmëria e thellimit të integrimit.
Hamza thekson se një Kosovë më e zhvilluar dhe e integruar në familjen evropiane është objektivi kryesor i PDK-së.
Ai paralajmëron se qeveria e re, nëse udhëhiqet nga PDK, do të angazhohet që BE-ja dhe shtetet anëtare t’i heqin sa më shpejt masat sanksionuese të vendosura ndaj Kosovës, në mënyrë që vendi të mund të përfitojë nga projektet e përafrimit me BE-në.
Ai shprehet se mbetet i përkushtuar ndaj dialogut të hapur me të gjithë partnerët ndërkombëtarë, duke e cilësuar këtë si çelës për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe të gjithë rajonit.











