Hamza: Përgjegjësia për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit i takon Vetëvendosjes

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se nuk ka problem të takohet me kreun e partisë fituese, Lëvizjen Vetëvendosje, për bisedime politike, por ka theksuar se përgjegjësia për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë i takon kryetarit Albin Kurti.

“I ka 57 ulëse në Kuvend, sigurisht se e bën koalicionin edhe me deputetët e komuniteteve joshumicë, që nuk janë serbë, por të komuniteteve tjera, dhe e ka numrin e mjaftueshëm për të formuar qeverinë. Ka përgjegjësi për të formuar qeverinë, për konstituim të Kuvendit. Ka përgjegjësi që pa vonesa ta konstituojë Kuvendin, të gjitha pozicionet e Kuvendit, edhe të kryetarit e edhe të nënkryetarëve. Ne i votojmë nënkryetarët, për shkak se e kemi edhe nënkryetarin nga radha e PDK-së. Për të gjitha pozicionet tjera, përgjegjësia është e tyre”, tha Hamza në Klan Kosova.

Ai shtoi se PDK-ja nuk ka ndërmend të votojë kryetarin e Kuvendit pa një marrëveshje politike, por theksoi se partia e tij ka qenë gjithmonë bashkëpunuese për tema në interes të vendit dhe do të vazhdojë të jetë e tillë.

“Asnjëherë nuk u ikim bisedave. Nuk do të thotë se pajtohemi, por bisedave dhe takimeve asnjëherë nuk u ikim. Varet tema dhe mënyra e ftesës. Sepse edhe me të ftu, duhet me të ftu mirë dhe mbarë. Kjo i bie që mos me ta çu ftesën mirë dhe qartë, me pas çfarëdo prapavie apo tendence, nuk funksionon”, deklaroi Hamza.

Duke folur për zgjedhjen e presidentit, Hamza u shpreh se PDK-ja është e gatshme të diskutojë me Vetëvendosjen, por theksoi se përgjegjësia kryesore mbetet te partia e parë. Ai kujtoi shembuj të së kaluarës, kur presidentët janë zgjedhur përmes marrëveshjeve politike ndërmjet partive, duke përmendur presidentët Rugova, Sejdiu, Pacolli dhe Jahjaga.

“Nuk ka kurgjo të keqe me folë, por përgjegjësia për me i ba votat i takon partisë së parë. Presidenti Rugova herën e parë e ka dhënë postin e kryeministrit, ku ka qenë zotëri Rexhepi, dhe vetë ka qenë president. Herën e dytë ia ka dhënë zotit Haradinaj, dhe vetë ka qenë president. Herën e tretë është zhgjedhur zoti Sejdiu me përkrahje të PDK-së, dhe kryeministër ka qenë zoti Thaçi. Mirëpo, PDK i ka pasur shumicën, por e ka marrë kryeministrin dhe e ka zgjedhur presidentin me marrëveshje politike”, tha Hamza.